​Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit

Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit është ditë e caktuar nga Asambleja e Përgjithshme OKB-së në vitin 1985 dhe u dedikohet të gjithë atyre vullnetarëve të shumtë anembanë botës, të cilët sakrifikojnë interesat e tyre personale, në interes të shoqërisë dhe komunitetit.

Bota

05/12/2020 08:05

Me këtë rast Let’s Do It si njëra ndër organizatat që realizon aktivitete të ndryshme mjedisore vullnetare, sot do të shënojë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarëve duke shpallur vullnetarët e vitit 2020.

Ceremonia e shpalljes së vullnetarëve të vitit 2020 do të mbahet në zyret e Let’s Do It të cilat gjenden në rrugën “Pashko Vasa” në lagjen Pejton (Prishtinë), duke filluar nga ora 11:00.

Vullnetarët e vitit të cilët do të shpallen ditën e sotme, vazhdojnë të japin kontributin e tyre tash e sa vite në fusha të ndryshme në të mirë të vendit e shoqërisë.

“Ne i kemi dalluar ata më së shumti për kontributin e dhënë në fushën e mbrojtjes së mjedisit, në luftën ndaj COVID-19 si dhe në disa fusha të tjera mjaft interesante të cilat do të bëhen të ditura nesër. Shpallja e vullnetarëve të vitit ka qenë e planifikuar të jetë një event më madhështor, ashtu siç është edhe vet puna vullnetare, mirëpo për shkak të situatës me pandeminë është reduktuar numri i pjesëmarrësve dhe të ftuarve të tjerë. Me këtë rast, janë ndërmarrë edhe të gjitha masat e tjera për mbrojtje ndaj COVID-19!”, thuhet në njoftim.