Imami dhe ish-këshilltari i Konjufcës që u largua nga Kosova për të punuar në Gjermani, vite më parë ishte dënuar për dhunë ndaj bashkëshortes

Drilon Gashi, ish-imam nga Peja, ka njoftuar sot se është larguar nga Kosova për në Gjermani, pasi sipas tij, pavarësisht 25 vjetëve studime dhe rreth 60 aplikimeve për punë, nuk kishte arritur të siguronte një vend pune që do t’i mundësonte jetesën në vendlindje. Në një shkrim të publikuar më 1 nëntor 2026, Gashi ka…

Lajme

01/11/2026 20:39

Drilon Gashi, ish-imam nga Peja, ka njoftuar sot se është larguar nga Kosova për në Gjermani, pasi sipas tij, pavarësisht 25 vjetëve studime dhe rreth 60 aplikimeve për punë, nuk kishte arritur të siguronte një vend pune që do t’i mundësonte jetesën në vendlindje.

Në një shkrim të publikuar më 1 nëntor 2026, Gashi ka treguar se aktualisht po punon në ndërtimtari në Gjermani, duke vendosur pllaka dhe kryer punë fizike.

Gashi ka thënë se ka konkuruar në rreth 60 vende pune në Kosovë, por se nuk ka arritur të gjej një vend pune.

“Me katër fëmijë, me detyrime bankare dhe përgjegjësi familjare, erdhi një ditë kur nuk mund të prisja më. Mora rrugën e mërgimit. Dhe këtu, mes pluhurit, çimentos dhe lodhjes fizike, më është kthyer vazhdimisht një pyetje: A thua çfarë duhet të bëjë më shumë një qytetar që të ketë mundësi të jetojë me dinjitet në vendin e vet?”, ka shkruar Gashi.
Megjithatë, përtej historisë së tij për vështirësitë në gjetjen e një vendi pune, ekziston edhe një pjesë tjetër e së kaluarës së tij, e dokumentuar me aktgjykim të Gjykatës Themelore në Pejë.

Sipas aktgjykimit të datës 22 nëntor 2018, Drilon Gashi ishte shpallur fajtor për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor ndaj bashkëshortes së tij.

Ngjarja kishte ndodhur më 30 dhjetor 2017, në fshatin Vitomiricë të Pejës. Sipas përshkrimit të fakteve në aktgjykim, pas një mosmarrëveshjeje familjare, Gashi e kishte goditur bashkëshorten me grushte dhe me një dru, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Në këtë rast, Gjykata Themelore në Pejë nuk i kishte shqiptuar burgim, por vërejtje gjyqësore, pasi ai kishte pranuar fajësinë dhe kishte shprehur keqardhje për atë që kishte ndodhur. Gjykata kishte marrë parasysh edhe rrethanat ekonomike dhe përmirësimin e raporteve familjare.

Rasti ishte bërë publik në maj të vitit 2023.

Një tjetër element i biografisë së Gashit është edhe angazhimi i tij politik. Në korrik të vitit 2021, ai ishte emëruar këshilltar në kabinetin e atëhershëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Në maj të vitit 2023, pas publikimit të rastit gjyqësor, shefi i kabinetit të Konjufcës, Ilir Kërçeli, kishte konfirmuar se Gashi ishte liruar nga detyra e këshilltarit.

Në atë kohë, Gashi kishte reaguar duke thënë se bëhej fjalë për një kontest familjar dhe se nuk kishte probleme me bashkëshorten. Edhe bashkëshortja e tij kishte reaguar publikisht, duke e cilësuar rastin si një zënkë familjare dhe duke kundërshtuar disa nga faktet e përshkruara në procesin gjyqësor.

Kështu, ndërsa sot Gashi rrëfen për vështirësitë ekonomike dhe largimin nga Kosova, e kaluara e tij përfshin edhe një aktgjykim gjyqësor dhe një periudhë të angazhimit në kabinetin e ish-kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca. /Lajmi.net/