Zv/kryeministri i Kosovës kërkon përkrahjen e Austrisë për themelimin e AKS-së

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dalobor Jevtiq, sot është takuar në Vjenë me zëvendëspresidentin austriak Heinz-Christian Strache ku kanë biseduar për dialogun dhe për serbët e Kosovës.

Lajme

13/11/2018 18:53

Zëvendëskryeministri i Kosovës një herësh edhe ministër për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq, sot ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Austri, me ç’rast është takuar me zëvendëspresidentin austriak Heinz-Christian Strache, transmeton lajmi.net.

Siç shkruajnë mediat serbe Jevtiq dhe Christian Strache gjatë takimit të tyre në Vjenë kanë biseduar për të gjitha problemet që ka Kosova e në veçanti kanë folur për dialogun dhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Në këtë takim, bëhet e ditur se Jevtiq dhe Christian Strache, kanë rënë dakord se të gjitha problemet që i kanë shqiptarët dhe serbët në Kosovë mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut.

“Nëse dëshirojmë që të kemi një paqe afatgjate, atëherë duhet të flasim për të gjitha gjërat dhe të gjejmë një zgjidhje për të gjitha problemet dhe nevojat e njëri-tjetrit. Për një të ardhme sa më të mirë dhe për krijimin e një jetese sa më të mirë për serbët dhe shqiptarët, është e nevojshme që të bëjmë shumë më tepër në mënyrë që gjeneratat e ardhshme të mund të kenë një jetesë shumë më të mirë se sa kjo e sotmja”, citohet të ketë thënë Jevtiq, transmeton më tutje  lajmi.net.

Gjatë këtij takimi, zëvendëskryeministri Jevtiq ka kërkuar nga zëvendëspresidenti Christian Strache mbështetjen e Austrisë për implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, pasi që sipas tij, implementimi i tyre duhet të bëhet sa më shpejt.

Siç shkruan “Tanjug”, transmeton lajmi.net, Jevtiq nga zëvendëspresidenti austriak Christian Strache, ka kërkuar edhe mbështetjen e Austrisë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, pasi që sipas Jevtiq, kjo temë duhet të diskutohet në çdo takim dhe se themelimi i ASK-së është çështje jetike për serbët e Kosovës.

Në anën tjetër zëvendëspresidenti austriak Heinz-Christian Strache, ka ofruar mbështetjen e Austrisë për dialogun dhe se sipas Christian Strache, dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemet ndërmjet shteteve, transmeton më tutje lajmi.net.

Tutje në këtë takim është diskutuar edhe situata politike aktuale në Kosovë.

Për të parë nga afër problemet me të cilën përballen serbër dhe mënyrën e jetesës së tyre, Jevtiq e ftoi Christian Strache që ta vizitojë Kosovën. /Lajmi.net/