Zjarri në një objekt në Llapushnik s’kishte prapavijë fetare, shkak rryma

Sot rreth orës 04:00 të mëngjesit një objekt në Llapushnik, pronë e një personi të komunitetit katolik ishte përfshirë nga zjarri. Mediat raportun se zjarri dyshohet të jetë vënë qëllimshëm shkaku i problemeve të fundit mes komuniteteve myslimane dhe katolike në këtë fshat rreth kontestit për një parcelë tokë e ndarë për varreza. Por policia e mohon këtë, duke thënë se ekspertët kanë konstatuar se zjarri ishte shkaktuar nga një defekt elektrik.

Lajme

06/07/2015 16:57

Policia Rajonale e Prishtinës, përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë e nevojshme policore për të menaxhuar me situatën, zjarrfikësit, zyrtarë për hetimin e shkaqeve të zjarrit nga departamenti i emergjencave  si dhe zyrtari për hetimin e faktorëve dhe shkaqeve të rrymës.

Në ndërkohë që zjarri është lokalizuar nga ana e zjarrfikësve me pasojë vetëm dëmet materiale, hetuesit policor kanë proceduar më tej me këqyrjen e vendit të ngjarjes si dhe ekzaminimin e të gjeturave edhe evidencave.

Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore si dhe ekzaminimeve të nevojshme me qëllim ndriçimin e rrethanave të këtij rasti si dhe pas veprimeve të zyrtarëve për hetimin e shkaqeve të zjarrit nga ana e ekspertëve kompetent policia njofton se është konstatuar përfundimisht se: zjarri është shkaktuar nga faktori rrymë respektivisht nga një kabllo e rrymës së objektit të djegur, dhe nuk bëhet fjalë për zjarrëvënie të qëllimshme. (lajmi.net)