Wenger: Ozil do të shkëlqejë kundër Bayernit

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger insiston se Mesut Ozil do të shkëlqejë, në përballjen e së martës ndaj Bayern Munichut, në ndeshjen e kthimit të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve. Londinezët do të udhëtojnë drejt Gjermanisë me një disavantazh prej dy golash nga dueli i parë, por trajneri francez është optimist se…

Sport

10/03/2014 09:00

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger insiston se Mesut Ozil do të shkëlqejë, në përballjen e së martës ndaj Bayern Munichut, në ndeshjen e kthimit të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve.

Londinezët do të udhëtojnë drejt Gjermanisë me një disavantazh prej dy golash nga dueli i parë, por trajneri francez është optimist se skuadra e tij mund ta përsërisë paraqitjen e sezonit të kaluar në Allianz Arena.

Ozil dështoi nga penalltia në ndeshjen e parë në Emirates Stadium, duke e bërë një paraqitje të zbehtë, por Wenger thotë se mesfushori gjerman e ka lënë prapa këtë dhe se është në formën më të mirë, pasi shënoi në përballjen e së shtunës në fitoren 4:1 ndaj Evertonit në FA Cup.

“Mendoj se penalltia që e humbi ndaj Bayernit ka pasur efekt mental shumë tek ai. Por, ai ishte i jashtëzakonshëm nga minuta e parë e deri në fund, në ndeshjen e fundit. Mënyra se si festuan lojtarët ishte e rëndësishme për të, por edhe për ekipin në përgjithësi”, deklaroi Wenger në konferencë për shtyp.

“Ai e ka një mundësi të mirë të martën, ta demonstrojë se sa i mirë është. Do të doja që ai ta gjejë balancën e duhur në mes të asistuesit dhe përfunduesit të aksionit. Ai po përmirësohet. Ozil është më i shpejtë se që mendojnë njerëzit. Ai mund të shënojë edhe gola. Ai dëshiron të shënojë më shumë gola”, përfundoi Wenger.

Ozil ishte transferuar në Arsenal nga Real Madridi gjatë verës së kaluar. Ai kishte shkëlqyer në fillim të sezonit, por më pas e pati një rënie.