Webb i Manchester Cityt

Howard Webb i dha fund karrierës si gjyqtar. Ai konsiderohej se i ndihmoi në shumë raste Manchester Unitedit. Por, statistikat tregojnë se është një skuadër tjetër që fitoi më shumë me të.

Sport

06/08/2014 20:20

Nuk është Manchester United por rivali i qytetit Manchester City, skuadra që ka fituar më së shumti ndeshje të drejtuara nga Howard Webb, në pesë sezonet e fundit në Premierligë.

Gjyqtari, i cili u pensionua sot, është akuzuar për favorizim të Unitedit. Por, skuadra nga Old Trafford është vetëm e katërta sa i përket mesatares më të mirë të pikëve me të.

United ka humbur shtatë nga 20 ndeshjet nën drejtimin e tij, që vështirë se sugjeron se ai të ketë qenë faktor i suksesit.

City kryeson me 2.41 pikë për ndeshje kur Webb ishte gjyqtar, ndërsa Arsenali fitoi 11 nga 15 ndeshjet me mesatare prej 2.33 pikësh për ndeshje.

Edhe Norwich City ka bilanc më të mirë se United me Webbin me 1.89 pikë për ndeshje për dallim nga 1.85 të Unitedit.