Viti i Ri, Man Utd i vjetër

Kemi hyrë në vitin e ri, por rezultatet e Manchester Unitedit në Premierligë mbeten ato të ‘vjetrat’. Kampioni në fuqi pësoi disfatën e gjashtë këtë edicion – e katërta në shtëpi –  pas 20 xhirosh duke u mposhtur në Old Trafford nga Tottenham Hotspur me rezultat 2:1. Sulmuesi Emmanuel Adebayor shënoi me kokë duke i…

Sport

01/01/2014 19:27

Kemi hyrë në vitin e ri, por rezultatet e Manchester Unitedit në Premierligë mbeten ato të ‘vjetrat’.

Kampioni në fuqi pësoi disfatën e gjashtë këtë edicion – e katërta në shtëpi –  pas 20 xhirosh duke u mposhtur në Old Trafford nga Tottenham Hotspur me rezultat 2:1.

Sulmuesi Emmanuel Adebayor shënoi me kokë duke i kaluar mysafirët në epërsi pas 34 minutash lojë, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë e takimit.

Kurse, në të 66’tën, mesfushori Christian Eriksen shënoi po ashtu me kokë pas një topi të harkuar me një devijim nga Aaron Lennon.

Mirëpo, në aksionin pasues, United e ngushtoi disavantazhin nëpërmjet sulmuesit Danny Welbeck i cili mposhti portierin Hugo Lloris pas një asistimi të bukur nga Adnan Januzaj.

Në vazhdim, vendasit u hodhën në sulm në kërkim të golit të barazimit, erdhën pranë tij por nuk e gjetën, as pas pesë minutave lojë shtesë.

Januzaj u ‘zverdh’ për simulim

Januzaj ishte titullar, luajti komplet ndeshjen dhe u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e fundit të takimit, për shkak të një simulimi.

Me këtë humbje, United mbetet në kuotën e 34 pikëve, në pozitën e shtatë, kurse mbi ta është Tottenham me 37.