Veteranëve u skadon ultimatumi për prokurorinë – Lajmi.net
Veteranëve u skadon ultimatumi për prokurorinë
Autori: Lajmi.net LajmeNacionale 18:43, 8 October 2018
Një aktakuzë në të cilën janë të përfshirë 12 persona dhe një liste me emra të veteranëve që supozohej se i përkisnin veteraneve “të rrejshëm” e cila qarkulloi në rrjete sociale si dhe nëpër media bëri që veteranët e zonës së Dukagjinit të protestonin para Pallatit të Drejtësisë duke kërkuar nga ana e prokurorisë të heq dorë nga e njëjta aktakuzë, të nisin një hetim për publikimin e listave dhe të dhënave personale të veteranëve dhe të kërkonin falje.

8 tetori ishte ultimatumi që veteranët i kanë dhënë prokurorisë të heqë dorë nga aktakuza dhe të kërkojë falje për, siç u tha, denigrimin e vlerave të luftës.

“Deri më 8 tetor ne presim përgjigjen tuaj publike(nga Prokuroria) rreth kërkesave: kërkim faljen e prokurorisë për denigrimin e vlerave të luftës dhe dinjitetin e veteranëve. Nëse nuk kemi lëvizje nga ana juaj protestat e radhës nuk do të jenë paqësore”, ishin fjalët të cilat i kishte thënë përfaqësuesi i veteranëve të zonës së Dukagjinit, Avdyl Mushkolaj.

I pyetur nga kallxo.com në lidhje me protestat jo paqësore të përmendura në protestë, këshilltari i kryeministrit Haradinaj për kategorinë e veteranëve, Gazmend Syla tha se kjo nuk ka nënkuptuar përleshje me organet e rendit apo dëmtim të pronës publike.

“Jo paqësore nënkupton, bllokim të punës së prokurorisë, bllokim rrugësh e metoda të tjera e assesi dhunë e përleshje me organet e rendit, apo dëmtim të pronës publike, apo diçka e ngjashme, personalisht se mbaj mend nëse veteranët kanë organizuar protestë të dhunshme”, ka thënë Syla.

Dy ditë pas protestës së 26 shtatorit, Prokuroria kishte nisur hetimet për publikimin e listave të veteranëve.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton opinionin se ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që të fillohen hetimet paraprake për të verifikuar çdo veprim të personave zyrtarë në sistemin prokurorial dhe gjyqësor, si dhe, të zyrtarëve apo personave të tjerë jashtë këtyre sistemeve, nëse të njëjtit kanë kryer vepër penale me rastin e publikimit të emrave të personave të përfshirë në listat e veteranëve apo pjesëtarëve luftëtarë të UÇK-së”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Por, kërkim falja nuk u dha nga ana e prokurorisë.

Në një njoftim në faqen zyrtare të OVL- UÇK, në Pejë, thuhet se veteranët e kanë përshëndetur  veprimin e Prokurorisë, e cila realizoi kërkesën e parë të protestës së veteranëve, e cila ishte hetimi për publikimin e listave të veteranëve.

Në të njëjtin njoftim thuhet se janë dy veprime që veteranët do të ndërmarrin në ditët në vijim.

“Një letër do i shkojë Kryeprokurorit Lumezi, të hënën me 8 tetor 2018, ku do të kërkohet se deri ku kanë arritur hetimet për zbardhjen e fajtorit që publikoi ilegalisht listat në media. Zyrat e OVL UÇK në Dukagjin, do të jenë të hapura për të gjithë luftëtarët pa dallim zone e brigade, ku do të përkrahën në përpilimin e padisë për fyerje të dinjitetit dhe publikimin ilegal të të dhënave personale”, thuhet në njoftim.

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj për kategoritë e dala nga lufta, Gazmend Syla tregoi në lidhje me kërkesat e tjera të veteranëve që i kanë bërë prokurorisë.

Sipas Sylës veteranët do të ndërmarrin veprime në bazë të punës që bën prokuroria në lidhje me kërkesat e tjera siç është ajo e hedhjes poshtë të aktakuzës për veteranët, dhe kërkim faljen e prokurorisë.

“Lëvizje ka pas vetëm për kërkesën e parë dhe kjo është në rregull sa i përket ultimatumit, do të thotë protesta e parë ka bërë efekt. Pas veprimeve që kemi përmendur në komunikatën e së shtunës për veprimet tona, vendosim varësisht sipas situatës dhe reflektimit të prokurorisë. Nëse nuk ka përgjigje, vazhdojmë me planet tona që do t’i publikojmë kur të vjen koha”, ka thënë Syla për kallxo.com.

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO