Veprimet e opozitës forcojnë Qeverinë

Pas largimit nga Kuvendi i Kosovës dhe me organizimet e rralla të protestave, opozita po shihet shumë e pafuqishme karshi Qeverisë. Madje, me këtë intensitet të kundërshtimit, sipas analistëve, opozita nuk mund ta rrëzojë Qeverinë kurrë.

Lajme

22/03/2016 08:28

Pas tërheqjes së opozitës nga Kuvendi i Kosovës koalicioni qeverisës PDK-LDK mund të ndihet tepër komod. Madje me veprimet sporadike, duke protestuar një herë në 40 ditë, mazhoranca e ka siguruar pushtetin deri më 2018, kur janë parashikuar me ligj mbajtja e zgjedhjeve të reja. Kështu të paktën konsiderojnë analistët politikë, por edhe vetë përfaqësuesit e koalicionit, të cilët e kundërshtojnë çdo mundësi për shkuarje në zgjedhje të reja.

Megjithatë tri partitë opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma për Kosovën”, besojnë fuqishëm se do t’ia arrijnë të qëndrojnë deri në rrëzimin e koalicionit qeverisës.

Ndërkaq, analistët po e shohin opozitën të pafuqishme karshi Qeverisë së Kosovës.

Halil Matoshi ka thënë për gazetën “Zëri” se opozita kosovare nuk ka mbështetje as të qytetarëve të Kosovës e as të bashkësisë ndërkombëtare.

“Opozita është e pafuqishme dhe pa mbështetje tek qytetarët, ndonëse agresive karshi pushtetit. Nuk po merr as mbështetje qytetare dhe as ndërkombëtare sepse kërkesat i ka të paqarta (kryesisht etno-nacionaliste) dhe për të ardhmen e vendit po flet si në jermi, pra nuk ka alternativë së çfarë do të bëjë ajo me Republikën”, ka thënë Matoshi, duke shtuar se opozita më shumë po i frikëson qytetarët sesa po i bënë të shpresojnë për më mirë./ Zëri