Ujmani është Kosovë

Ministri Fadil Ismajli reagon ndaj deklaratave të Ministres serbe të Energjetikës. Ai thotë se agonia e politikës serbe po vazhdon dhe se Ujmani, Trepça e Vallaqi janë dhe do mbeten asete të Kosovës.

Lajme

18/10/2013 19:04

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të Ministres së Serbisë për Energji, Zorana Mihajlovic.

Ismajli ka vlerësuar se edhe më tutje vazhdon agonia e politikës dhe qeverisjes së Beogradit, e cila, sipas tij, si edhe në të kaluarën, “vazhdon të ushqejë shpresat fiktive me argumente të paqena e që kësaj radhe lidhen me dezinformata për Trepçën, Ujmanin dhe Vallaqin”.

Ministri Ismajli, ndër të tjera përkujton homologen e tij se Ujmani (Gazivoda), nuk ka qenë asnjëherë pikë e negociatave. E njëjta vlen edhe për Trepçën e cila nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk do të ndodh as në të ardhmen që të jetë në tavolinën e bisedimeve, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

“E për të thartuar sharmin dezinformues të ministres Mihajlovic sa i përket Vallaqit, Ministri Ismajli rikujton homologen serbe se sipas pikës 5 te marrëveshjes, KOSTT do t’i lidhë linjat 110kV për Vallaq. Operatorët aktual në nënstacionin Vallaq do t’i respektojnë udhëzimet nga qendra dispeqerike e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Për me tepër, pika 2 e marrëveshjes thekson se KOSTT do të njihet si Operatori i Sisitemit të Transimisionit për territorin e Kosovës. Marrëveshja po ashtu është e definuar qartë edhe në kuptimin e përkujdesjes për punëtorët e të ashtuquajturës “Elektrokosmet” të cilet sipas pikës 5, ose do të inkorporohen në kompani të re (komform legjislacionit kosovar) ose mund t’u ofrohet punësim ne KEDS.

“Me fjalë të tjera, zonja Mihajloviq, Ujmani (Gazivoda), Trepça dhe te gjitha asetet tjera në territorin e Kosovës, kanë qenë, janë dhe do të mbeten të Kosovës. Kjo është e vërteta që si duket nuk përputhet me dëshirat tuaja”, ka thënë Ministri Ismajli.

“Bazuar në sjelljen korrekte të ministres Mihajlovic e cila kërkoj leje dhe e njejta iu miratua, për hyrjen në Republikën e Kosovës, shpresojmë që ministrja Mihajlovic do sillet politikisht në përputhje me standardet evropiane, në frymën e fqinjësisë së mirë në mes dy shteteve sovrane, neve presim kontributin e saj në forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe konsolidimit në sistemet energjetike të dy vendeve tona”, thotë komunikata e MZHE.