Ujkani i vërtetë

Portieri kosovar i Palermos, Samir Ujkani është i lumtur me promovimin e skuadrës së tij në Serie A, dhe thotë se edicioni që po lëmë pas ka shfaqur ‘Ujkanin e vërtetë’.

Sport

08/05/2014 23:26

I transformoi fishkëllimat e vitit të kaluar në duartrokitje. Tregoi se është në nivel të detyrës, në kohën kur Stefano Sorrentino ishte i lënduar.

Samir Ujkani i bindi të gjithë, edhe Palermon. Portieri kosovar është i lumtur me sezonin e ri.

“Jam i lumtur. Vitin e kaluar kur e filluam vitin, të gjithë u nisëm me hap të gabuar. Këtë vit është parë Ujkani i vërtetë, dhe tani mund të vazhdoj në këtë rrugë me bindjen se mund të paraqitem mirë edhe në Serie A”, deklaroi Ujkani për GianlucaDiMarzio.com.

Ujkani është lavdëruar edhe nga Sorrentino.

“E falënderoj. Punoj me të qdo ditë dhe mësoj shumë. Jemi shokë, duhet të vazhdojmë të punojë së bashku për të arritur objektiva të rëndësishme”.

Promovimi në Serie A është arritur dhe stadiumi Renzo Barbera është i gatshëm për festë. Për duelin e së shtunës kundër Lancianos janë paralajmëruar 30 mijë shikues. Dueli mund ta sheh si protagonist pikërisht Ujkanin.

“Unë jam gjithmonë i gatshëm, pastaj trajneri është ai që merr vendimet e tij. Unë stërvitem rregullisht, gjithmonë në maksimum të aftësive të mija. Kjo e këtij viti është fitorja e të gjithëve, edhe e atyre që kanë luajtur më pak. Dhe të shtunën, festa në Barbera ishte vërtetë e rëndësishme. Tani dua të shoh shumë fëmijë në stadium të shtunën, sepse ata janë e ardhmja”, përfundoi Ujkani.