Vitia: ​Një pjesë e Spitalit të Gjilanit do të shfrytëzohet për ndërtimin e shkollës së mjekësisë

Një pjesë e Spitalit të përgjithshëm në Gjilan do të jepet në shfrytëzim për ndërtimin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë, e cila deri më tani ka zhvilluar aktivitetet në shkollën e ekonomisë të kësaj komune. Për këtë njoftoi gjatë një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Ai tha…

Lajme

08/05/2024 15:01

Një pjesë e Spitalit të përgjithshëm në Gjilan do të jepet në shfrytëzim për ndërtimin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë, e cila deri më tani ka zhvilluar aktivitetet në shkollën e ekonomisë të kësaj komune.

Për këtë njoftoi gjatë një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Ai tha se ky vendim u mor pasi nxënësit e kësaj shkolle për shkak të kushteve jo të mira, kanë vijuar mësimet me shumë telashe në shkollën ekonomike.

Vitia përmendi se përpos punës teorike , në këtë objekt nuk mund të realizoheshin punët praktike dhe nuk kishte as laborator.

Përveç kësaj, Vitia tha se në Klinikën e Gjinekologjisë shumë shpejt pritet që të aktivizohen tre shërbime të reja.

“Sot u mor një vendim për dhënien në shfrytëzim të një pjese të spitalit të përgjithshëm të Gjilanit për ndërtimin e Shkollës së Mesme së Mjekësisë, shkollë e cila fatkeqësisht për shkak të kushteve jo të duhura, deri tani i ka zhvilluar aktivitete në shkollën e ekonomisë në këtë komunë. Dhe me shumë telashe, në kuptimin e punës praktike, ku përpos punës teorike nuk ka pasur as laborator e as kushte të tjera. Investimet në infrastrukturë në QKUK, por jo vetëm edhe në spitalet e përgjithshme po vazhdojnë me një intensitet të shtuar, kjo është marrë parasysh në lehtësimin dhe përmirësimin e kushteve të profesionistëve shëndetësorë në këto institucione shëndetësore publike, por natyrisht për t’i bërë edhe ambientet më miqësore dhe më praktike për pacientët kur marrin shërbimet e tyre. Vetëm në klinikën e gjinekologjisë shumë shpejt priten që të aktivizohen tre shërbime të reja, shërbime të i shfrytëzimit të asistuar mjekësorë, amiocenteza si dhe mjekësia fetale”, tha Vitia.