U votua me dokumente të Serbisë

Anëtari i KQZ’së nga radhët e Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, thotë se në Mitrovicën e Veriut kanë votuar me dokumente të Serbisë.

Lajme

23/02/2014 20:29

Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ’së nga Vetëvendosje, në një postim të tij në Facebook, thotë se në Mitrovicën e Veriut kanë votuar përmes dokumenteve të identifikimit të Republikës së Serbisë.

“Pasi që ditë më parë KQZ dhe Ministria e Punëve të Brendshme, në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin mbi zgjedhjet dhe Ligjin mbi shtetësinë, përfshinë rreth 7000 persona në listën e votuesve të Mitrovicës së Veriut, duke ua dhënë të drejtën e votës vetëm mbi bazën e shtetësisë së Serbisë, sot këta 7000 votues serbë po votojnë në Mitrovicën e Veriut vetëm përmes dokumenteve të identifikimit të Republikës së Serbisë.”

“Përfshirja e këtyre emrave ka qenë një veprim i pastër politik dhe në funksion të rritjes artificiale të numrit të votuesve serbë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, me qëllim të ndryshimit të karakterit demografik në këtë pjesë.”

“Fitorja e serbëve për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut po bëhet e mundur vetëm duke i shtuar këta emra në listën e votuesve, si dhe duke larguar shqiptarët që i kanë pronat e tyre në veri të Mitrovicës, por që janë detyruar të shpërngulen në pjesën jugore”, ka shkruar Rrustemi.