U shpall kampion bote, Matuidi tani duhet të mbajë premtimin e pabesueshëm

Katër vite më parë shpëtoi, për fatin e tij të keq, nga Gjermania që eliminoi Francën në çerekfinale dhe i evitoi respektimin e bastit: “Nëse fitojmë Botërorin shkoj me biçikletë nga Trua (ku është bërë profesionist) në Paris (ku luante në atë kohë)”. Ndërsa, këtë herë Blez Matuidisë i ka shkuar keq.

Sport

10/08/2018 09:56

Apo mirë? Nuk dihet, sepse fundja, lojtari bardhezi u shpall kampion bote, por tani duhet të mbajë premtimin e bërë në TV: “Nëse fitojmë në Rusi, shkoj nga Torino në Paris me biçikletë”.

Dhe dje, mesfushori ka përsëritur se nuk do tërhiqet pas.

Duhet konsideruar fakti që basti u vendos disa muaj më parë, kur favoritet ishin mbi të gjitha Gjermania, Brazili, Argjentina e Spanja. Dhe Franca një sfidante e rangut të lartë. Por, në Rusi skuadra e Deshamp shkoi deri në fund dhe tani tifozët e gazetarët “kërkojnë llogari”.

“Më takon ta bëj, – është shprehur mesfushori në Paris, ku u prit si hero, atyre që i rikujtonin premtimin, – por më duhet të gjej kohën sepse nuk është e lehtë”.

Në fakt, udhëtimi është 717 kilometra, i “pasuruar” nga kalimi në Alpe dhe një pikë prej 2175 metrash. Pra, jo një shëtitje.