Transportuesi i barnave dhe rojtari i depos dëshmojnë në gjykimin ndaj Ilir Tolajt dhe të tjerëve

lmi Dragusha dhe Atdhedon Podvorica, kanë dhënë dëshmitë e tyre, të enjten në gjykimin i cili po zhvillohet ndaj ish- sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj dhe zyrtarëve të tjerë të kësaj ministrie, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Lajme

19/04/2018 17:48

Ilmi Dragusha, i cili është ftuar nga ana e mbrojtjes për të dëshmuar në këtë proces, deklaroi se kishte punuar si shofer i kamionit me të cilin ishin transportuar barnat me afat të skaduar nga “KMI”, në depon e Mazgitit.

Lidhur me pyetjet që i janë parashtruar këtij dëshmitari, të pandehurat Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi dhe Florije Tahiri akuzohen se si anëtare në Komisionin e Mbikëqyrjes së Ekzekutimit i kishin mundësuar kompanisë “KMI” të bënte manipulim me sasinë e barërave që ishin për asgjësim.

Dëshmitari Dragusha, tha se ai ishte punësuar si transportues i mallit, nga ana e Arion Lleshit pronar i kompanisë “KMI”, mirëpo sipas tij, ai nuk kishte pasur një kontratë me të, por ishin marrë vesh që për çdo kamion me barna që ai transportonte t’i paguhej shuma prej 60 eurosh.

Dragusha deklaroi se në depon në Mazgit sa herë kishte shkuar, tek dera kishte qenë një rojtar i cili sipas tij, e kishte pasur shtëpinë afër dhe herë pas here kishte qëndruar aty.

“Nuk më kujtohet saktësisht, por ne kemi shkuar gjithmonë në mëngjes në orën 7:00 ose 8:00 dhe gjithmonë kur kemi shku derën na e ka hap rojtari, pasi që atë e ka lajmëruar dikush ta hapte derën. Unë nuk e di se sa sasi të barnave ka pasur, mirëpo e mbajë në mend se në depo vinin tri ose katër gra. Nuk e di se a i kanë peshuar ato barna, vetëm di se kamioni gjithmonë ka qenë i ngarkuar, por më shumë nuk më kujtohet”, tha dëshmitari.

Sipas Dragushës, pronari i “KMI”-së, Arion Lleshi i kishte njoftuar se kur duhej të shkonin për të marrë mallin për ta dërguar në depon në Mazgit.

Ndërsa, dëshmitari i dytë që u dëgjua në këtë shqyrtim ishte Atdhedon Podvorica, i cili deklaroi se prej 20 dhjetor 2010 e deri më 20 dhjetor 2011, kishte punuar si rojtar në depon në Mazgit, e për këtë pozitë ishte zgjedhur nga kompania e sigurimit “SFK”.

Sipas Pordvoricës, ai kishte pasur për detyrë të hapte derën e oborrit të kësaj depoje, sa herë që ndonjë kamion i Ministrisë së Shëndetësisë kishte ardhur.

Podvorica tha se nuk e kishte pasur për obligim të mbante shënime, mirëpo një gjë të tillë e kishte bërë sa herë ndonjë kamion apo automjete tjetër kishte hyrë në atë depo.

“Unë i kam shënuar targat e kamionëve që kanë hyrë në depo dhe shpesh herë e kam shënuar edhe kohën kur këta kamion kanë dal, e kam dit se janë kamion me barna me afat të skaduar, pasi që kam marrë vesh nga disa djem që vinin me një “golf” të verdhë, të cilët më tregonin se duhet me i hap dyert për kamionët e Ministrisë së Shëndetësisë”, ka deklaruar ai.

Pasi që mbrojtësit e të akuzuarave Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi dhe Florije Tahiri, avokatët Naser Sopjani, Kujtim Kërveshi dhe Skender Musa, kishin ende pyetje për dëshmitarin, seanca u ndërpre për të vazhduar një ditë tjetër.

Gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, njoftoi palët se shqyrtimi i radhës do të mbahet më 3 maj 2018, duke filluar nga ora 09:30, ku do të vazhdohet me dëgjimin e këtij dëshmitari si dhe do të ftohet përsëri dëshmitari Musa Kadriu, i cili nuk prezantoi në këtë seancë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të akuzuarit Ilir Tolaj, në cilësinë e Sekretarit të Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Bekim Fusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Departamentit Farmaceutik në MSH dhe Zenel Kuqi në cilësinë e menaxherit të prokurimit në MSH, kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare. Sipas aktakuzës gjatë periudhës kohore 23 maj 2011 deri më 31 dhjetor 2011, në bashkëveprim i kanë sjellë përfitime kompanisë “KMI” SHPK Drenas me pronar Arian Lleshin dhe Shpend Aganin në vlerë prej 400 mijë  euro.  Prokuroria pretendon se të lartpërmendurit kanë shkelur Ligjin për Prokurim Publik përgjatë lidhjes së kontratës me kompaninë “KMI” kontratë kjo me vlerë totale prej 1.714.953.74 euro.

Në anën tjetër, Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi dhe Florije Tahiri akuzohen se si anëtare në Komisionin i Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të kontratës ku pretendohet se të njëjtat i kanë mundësuar kompanisë “KMI” të bëj manipulim me sasinë e barërave. Me këtë në vazhdimësi Haxhijaj, Thaçi e Tahiri kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Ndërkaq, Zenel Kuqi po akuzohet po ashtu se  në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë periudhës ndërmjet 23.05.2011 dhe 31.12.2011 i tejkaloi kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë materiale nga kompania “ACG dhe “Standart”, për aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral i aneksit të Emergjencës ekzistuese në QKUK”, kompania “Alb Architect” në aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”, dhe kompania “Life Farm” për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me infuzione”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën totale 276.307.97 eurove..

Në aktakuzën e njëjtë ishin të përfshirë edhe dy biznesmenët Arion Lleshi dhe Shpend Agani, mirëpo të dy kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin special. Si rrjedhojë, gjykata kishte shpallur fajtor dy biznesmenët, duke i dënuar me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1000 euro gjobë. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të njëjtit po ashtu obligohen që t’i kthejnë shtetit dëmin e shkaktuar prej 400 mijë eurove.

Sipas prokurorisë, Lleshi dhe Agani, akuzoheshin se kanë bërë paraqitje të rreme apo kanë fshehur fakte, gjë kjo e cila ka rezultuar në dëmtimin e buxhetit të MSH-së si dhe të njëjtit i janë shmangur pagimit të tatimeve dhe kontributeve të tjera për punëtorë të përcaktuara me ligj./betimiperdrejtesi.com