Tradhtia, sipas Ivica Dacicit

Ivica Dacic thotë se i ka tradhtuar ata serbë të cilët deri më tani kanë festuar humbjet. Ai ka folur për ata që e quajnë tradhtar, për zgjedhjet lokale në Kosovë dhe për atë se a është Bashkësia e Komunave Serbe në Kosovë një Republika Serbe e re.

Lajme

16/10/2013 09:40

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic thotë se ka qenë dashur të viktimizojë diçka kur ka nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Në një intervistë dhënë të përditshmes beogradase “Vecernje Novosti”, Kryeministri i Serbisë ka folur për cilësimet që iu bënë atij si “tradhtar i interesave serbe” kur nënshkroi marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në prill të këtij viti.

“E pranoj se kam tradhtuar një politikë e cila feston betejat e humbura. Unë me më qejf do të doja të jem hero i një beteje në të cilën jeton me nder e jo në të cilën vdiset me nder. Kam pasur përgjegjësinë historike për ta parafuar marrëveshjen (me Kosovën). Patjetër është dashur të viktimizojmë diçka”.

“Unë nuk goditem kur më quajnë tradhtar, njëjtë sikur për ata për të cilët para disa viteve kam qenë kriminel lufte. Asnjëherë nuk mund t’i kënaqni njerëzit. Dhe unë nuk jam këtu për t’i kënaqur njerëzit, por për t’i udhëhequr. Nëse ata nuk mendojnë se po i udhëheq si duhet, atëherë shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Dacic.

Por sipas tij, është shumë frustuese që gjithçka fillon dhe mbaron me Kosovën, për të cilën thotë se është një territor i veçantë sipas Rezolutës 1244, të cilin ai thotë se nuk e konsideron si shtet.

“E di se po ecim në teh të thikës- po shkojmë ndërmjet nevojës për integrim evropian dhe nevojës për mbrojtjen e interesit nacional. Kjo nuk është normalizim i ngadalshëm i marrëdhënieve me Prishtinën, por askush nuk mund të kërkojë nga ne ta ndryshojmë qëndrimin rreth statusit të Kosovës”.

I pyetur nëse Bashkësia e Komunave Serbe do të jetë fillimi i një Republike Serbe të re, Dacic është përgjigjur:

“Ndërkombëtarët janë alergjikë kur përmendet kjo. Në thelb kjo ndryshon. Por për herë të parë në 20 vjet përmendet Bashkësia e Komunave Serbe. Nëse do të ishte ofruar Bashkësia e Komunave Serbe para 20 vjetëve, kjo do të ishte ndryshe”.

Ndërsa kur është pyetur nëse Bashkësia është një eufemizëm për autonomi të serbëve brenda kornizës së Kosovës së pavarur, Dacic ka thënë: “Jo. As Kosova shtet, as Bashkësia si shtet brenda shtetit. Por kjo është një veçanti e pranuar për herë të parë nga bashkësia ndërkombëtare. Kjo duhet shfrytëzuar”.

“Në takimin e fundit i kam thënë Ashton’it: Nuk më intereson se si do të interpretohet kjo por Thaçi duhet ta respektojë marrëveshjen. Qëllimi ynë është formimi i Bashkësisë së komunave serbe, sepse me këtë serbët për herë të parë do të fitojnë qeveritë legale, të cilat bashkësia ndërkombëtare deri më tani i ka parë si struktura ilegale”.

Dacic ka folur edhe për opsionin më të preferuar të tij- atë të ndarjes së Kosovës.

“Në këtë temë as serbët as shqiptarët nuk guxojnë të flasin sepse është edhe dikush i tretë. Megjithatë, edhe më tej mendoj se kjo është zgjidhja më e mirë, më e shpejtë dhe më e lehtë”, ka thënë ai.