Tifozët kundër Panuccit, ja vendimi i fundit nga Duka

Christian Panucci do të vazhdojë detyrën e selektorit të Shqipërisë.

Sport

12/09/2018 15:29

Armand Duka ka konfirmuar besimin ndaj selektorit të Shqipërisë, Christian Panucci.

Fakti që jemi me pikë të barabarta në këtë aktivitet bashkë me Skocinë i jep bindjen atij që jemi të barabartë dhe se nuk duhet parë si tragjedi humbja e fundit.

“Jemi në gjysmë të rrugës, me pikë të barabarta me rivalin. Na pret në tetor një transfertë e vështirë në Izrael. Të gjithë ne duhet t’i japim kohën e mjaftueshme trajnerit për të bërë ndryshimet dhe reflektimet e duhura në skuadër. Koha e llogoreve nuk vlen për askënd. Kritikat janë normale për një skuadër kur ajo humbet. Por, kur këto bëhen për interesa jo sportive, nuk i shërbejnë askujt”, shkruan Duka.

Pëfaqësuesja kuqezi do të grumbullohet pas rreth një muaji në Shqipëri për të përgatitur ndeshjen miqësore me Jordaninë, që do të zhvillohet në “Elbasan Arena”, ndërkohë që 4 ditë më pas do të zhvillojë ndeshjen e kthimit ndaj Izraelit në transfertë, e vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Kombeve.