Thaçi: Sulmet në Paris janë përballje mes dy botëve të kundërta

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës, ka thënë se ajo që ndodhi në Paris nuk është vetëm një akt terrorist.

Lajme

14/11/2015 16:31

 

Sipas Thaçit, ajo është edhe përballje e vlerave, konfrontim mes idesë së promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut në njërën anë dhe ideologjive të terrorit dhe shtypjes së këtyre të drejtave dhe lirive, në anën tjetër.

“Është përballje mes dy botëve, njëra e prosperitetit dhe dinjitetit, respektit dhe solidaritetit; si dhe tjetra e dhunës, nënshtrimit dhe skllavërimit“, ka shkruar Thaçi.

“Ende i tronditur nga terrori që e përgjaku Parisin mbrëmë. Po i lexoj lajmet dhe assesi nuk po mundem të kuptoj se si dikush mundet që me vetëdije të shkaktojë kaq shumë vuajtje, kaq shumë dhimbje, kaq shumë plagë, të shuajë kaq shumë jetë. Nuk mund të ketë vlerë apo ide që është më e vlefshme se jeta e njeriut dhe asgjë nuk mund të arsyetojë vuajtjen dhe vrasjen. Por, ajo që ndodhi në Paris nuk është vetëm një akt terrorist. Është përballje e vlerave, konfrontim mes idesë së promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut në njërën anë dhe ideologjive të terrorit dhe shtypjes së këtyre të drejtave dhe lirive në anën tjetër. Është përballje mes dy botëve, njëra e prosperitetit dhe dinjitetit, respektit dhe solidaritetit; si dhe tjetra e dhunës, nënshtrimit dhe skllavërimit”.

“Kosova e ka thënë qartë se është rreshtuar me botën që angazhohet për liri e barazi, zhvillim e mirëqenie për të gjithë. Nuk do të hezitojmë t’i kundërvihemi kujto që do të tentojë t’i cenojë këto vlera dhe të prekë këtë mënyrë të të jetuarit. Kemi ditur që të luftojmë dhe të sakrifikojmë për këto vlera dhe do të dimë t’i mbrojmë edhe në të ardhmen”.

“Me mendje e me zemër jemi me familjet e viktimave, me të plagosurit, me popullin francez, me tërë qytetërimin perëndimor, me familjen e shteteve dhe popujve ku krenare qëndron edhe Kosova“, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.