Humbje e madhe

Paralajmërimi i Adriano Gallianit se do të largohet nga Milan në fillim të muajit të ardhshëm pas ndeshjes kundër Ajax Amsterdamit në Ligën e Kampionëve është tema kryesore e ditës në sportin ndërkombëtar. Zyrtari i famshëm i Rossonerëve do të tërhiqet nga detyra pas 27 vjetësh pune te gjiganti nga San Siro. Ai ka insistuar…

Sport

29/11/2013 18:27

Paralajmërimi i Adriano Gallianit se do të largohet nga Milan në fillim të muajit të ardhshëm pas ndeshjes kundër Ajax Amsterdamit në Ligën e Kampionëve është tema kryesore e ditës në sportin ndërkombëtar.

Zyrtari i famshëm i Rossonerëve do të tërhiqet nga detyra pas 27 vjetësh pune te gjiganti nga San Siro.

Ai ka insistuar se ndihet i ofenduar nga tretmani i disa anëtarëve të bordit – përfshirë Barbara Berlusconin, bijën e presidentit të klubit, Silvio – dhe kjo është arsyeja kryesore pse do t’i thotë lamtumirë Milanit. Largimi i tij konsiderohet si një humbje e madhe për klubin.

“Për Gallianin mundem vetëm të them fjalë të mira. Kam respekt maksimal për të. Ka qenë zyrtari më i rëndësishëm i një skuadre rivale gjatë aventurës time në Inter. Është një zyrtar i njohur në mbarë botën dhe e uroj të kënaqet me jetën sepse futbolli jep shumë por edhe merr shumë, mbi të gjithë në aspektin privat”, deklaroi Jose Mourinho.

Kurse, ish trajneri i Milanit, Carlo Ancelotti, tani në drejtim të Real Madridit shtoi: “Në nivelin personal nuk e shoh si diçka pozitive. Galliani ka përvojë të madhe dhe aftësi ta drejtojë Milanin. E ka dëshmuar gjatë gjithë kësaj kohe. Lamtumira e tij është një humbje e madhe për Milanin”.

Keqardhjen për largimin e Gallianit nga Milani e kanë shprehur edhe figura të ndryshme nga Serie A, trajnerë, zyrtarë dhe ish drejtues të klubeve rivale.