Syze me kamera tripërmasore

Përparimi i teknologjisë prek këtë herë syzet, varianti më i fundit i të cilave të kujton filmat e James Bond.

Auto & Tek

05/02/2018 17:25

Syzet e veçanta, prodhim i kompanisë “Orbi”, kanë të instaluara në skeletin e tyre kamera 360-gradëshe, që mundësojnë për të parën herë nga një filmim të tillë tripërmasor.

Nga sa shpjegojnë ideatorët e cituar nga “Zëri i Amerikës”, këto syze janë të pajisura me 4 kamera, dy në pjesën para e dy prapa. Videoja e prodhuar prej tyre ka një rezolucion të lartë 4K, transmeton Top Channel.

Syzet e para të botës që filmojnë në 360 gradë lejojnë regjistrimin, ndërkohë që personi i ka duart të lira.

Por si funksionojnë ato saktësisht? Duket fare e thjeshtë. Pasi i vendos, shtyp një buton dhe çdo gjë është automatike. Për të mos shkelur privatësinë e personave përreth, ato janë të pajisura edhe me drita sinjalizuese LED, të cilat ndizen gjatë xhirimit me qëllimin që personat në afërsi ta dinë se po filmohen.

Videoja mund të shpërndahet menjëherë, e mund të ruhet në një kartë memorieje. Syzet i rezistojnë ujit, kanë xhama të polarizuar e mund të porositen për 399 dollarë. Kompania njoftoi se shpërndarjen e fillon në muajin gusht.