Skënderbeu e fiton derbin ndaj Partizanit

Supersfida e javës së 30-të të Kategorisë Superiore mes Partizanit dhe Skënderbeut është mbyllur me një fitore 1-0 të korçarëve në Selman Stermasi. Vazhdon thatësira e Demave ndaj Ujqërve të Dëborës, pasi kjo ishte ndeshja e katërt këtë sezon që ata nuk arrijnë të shënojnë qoftë edhe një gol të vetëm ndaj tyre.

Sport

23/04/2018 21:04

Ishte një ndeshje që vlente më shumë për vendasit sesa për vizitorët pasi Partizani luan për një vend në Europë sezonin e ardhshëm ndërsa Skënderbeu ka një avantazh të kënaqshëm nga vendi i dytë. Dhe ishin vendasit ata që luajtën më mirë, sidomos në pjesën e parë të takimit, duke provuar disa herë për të zhbllokuar rezultatin por pa sukses, shkruan telesport.al.

Ishte Abdurahimi ai që shënoi në minutën e 33’ por arbitri Koci anuloi golin për një faull të sulmuesit. Partizani vazhdoi të ishte superior edhe pas pushimit të ndeshjes por pa arritur të gjejë golin e fitores.

Në disa momente të ndeshjes kishte edhe ndalesa për shkak se tifozët e irrituar të Demave të Kuq kanë hedhur flakadanë në fushë duke i shoqëruar me ofendime ndaj arbitrit dhe Federatës Shqiptare. Teksa dukej sikur ndeshja do të përfundonte me barazim pa gola, në fund të takimit ishte Bruno Dita ai që lëshon një goditje të hidhët nga distanca duke mundur portierin Hoxha.