Shqipëri – Izrael, e pabesueshme çfarë është duke ndodhur me futbollistët (FOTO)

Në çdo moment, forcat e sigurisë shoqërojnë lojtarët dhe pjesëtarët e stafit teknik, madje edhe kur ata lëvizin në ambientet brenda resortit “Tropikal”.

Sport

10/11/2016 10:17

Kombëtarja shqiptare po i zhvillon stërvitjet në Durrës nën masa të rrepta sigurie. Si asnjëherë më parë, një grup stjuartësh po mbajnë të monitoruar ambientet ku është akomoduar ekipi kuqezi.

Në çdo moment, forcat e sigurisë shoqërojnë lojtarët dhe pjesëtarët e stafit teknik, madje edhe kur ata lëvizin në ambientet brenda resortit “Tropikal”.

Edhe pse bëhet fjalë për një distancë të shkurtër mes objekteve, para hotelit ku është akomoduar Kombëtarja dhe restorantit ku ajo ushqehet, lojtarët shoqërohen nga forca sigurie. Edhe për vetë kuqezinjtë kjo situatë është e pazakontë, pasi nuk ishin mësuar kurrë që në Kombëtare të përballeshin me këto masa ekstreme.

Natyrshëm, si për të shtensionuar situatën, ka pasur edhe jo pak tone humori mes futbollistëve. “Ore, çfarë po ndodh kështu? Keni marrë vesh ndonjë gjë ju?”, pyesin lojtarët, duke iu drejtuar gazetarëve të pranishëm.

Ndërkohë, te dera e hotelit qëndron pa lëvizur përgjatë gjithë kohës një efektiv, ndërsa të tjerë monitorojnë territorin në kënde të ndryshme. Burime të sigurta i thanë dje gazetës “Panorama Sport” se masat janë marrë për sigurinë e lojtarëve dhe stafit teknik dhe kjo vjen menjëherë pas arrestimit të katër personave në Shkodër, të cilët dyshohen se kishin për qëllim të kryenin sulme terroriste në ditën e ndeshjes që do të luhej në “Loro Boriçi”. Në fakt, kjo ka qenë edhe arsyeja pse ndeshja u spostua për t’u zhvilluar në “Elbasan Arana”.

Situata

Ndeshja me Izraelin konsiderohet mjaft e rëndësishme për shumë arsye që rrethojnë përfaqë- suesen shqiptare. Ndonëse kërkohet të mbahet e fshehur situata, duket se tensioni nuk mungon te kuqezinjtë në prag të kësaj ndeshjeje. Trajneri Xhani De Biazi ka qenë nën presion gjatë kësaj periudhe, veçanërisht pas ndeshjes me Spanjën, në një kohë që ka kërkuar përqendrim maksimal dhe ka përdorur disiplinë të hekurt përgjatë grumbullimit në kuadër të takimit me Izraelin.

Nuk dihet nëse ka kërkuar De Biazi apo ka vendosur FSHF-ja që ekipi kombëtar këtë grumbullim të shoqërohet nga forca sigurie. Megjithatë, prania e shumë stjuartëve vetvetiu e bën të bezdisshme situatën për lojtarët, edhe pse kjo është një procedurë që ndodh thuajse në çdo ekip kombëtar të njohur në Europë. Gjithsesi, kuqezinjtë nuk janë mësuar me masa ekstreme, për më tepër që ditët e grumbullimit për ta janë shfrytëzuar edhe për të takuar familjarët dhe miqtë e tyre.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy S6.