SHBA dëbon 35 diplomatë rusë si dënim për ‘ndërhyrjen’ në zgjedhje

SHBA ka dëbuar 35 diplomatë rusë si dënim për ndërhyrjen e supozuar të Moskës në zgjedhjet presidenciale.

Bota

30/12/2016 08:43

Po ashtu, do të mbyllen edhe dy komplekse ruse të përdorura për mbledhje informacionesh në Meriland dhe Nju Jork, si pjesë e masave ndëshkimore.

Presidenti Barack Obama kishte premtuar se do të reagonte ndaj Rusisë në mesin e akuzave se ajo ka kryer sulme kibernetike ndaj partisë demokratike dhe fushatës së Hillary Clinton. Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se 35 diplomatë nga ambasada në Uashington DC dhe konsullata në San Francisko ishin shpallur “Non grata” dhe ata, bashkë me familjet, kanë 72 orë kohë për tu larguar nga Shtetet e Bashkuara.

Sanksione janë lajmëruar edhe kundër nëntë entiteteve dhe individëve, mes të cilave agjencitë rusë te zbulimit GRU dhe FSB. Departamenti amerikan i Thesarit tha ndërkohë se lëvizja kishte në shënjestër përgjegjësit për cenimin e procesit elektoral apo institucioneve.

Në një deklaratë të tijën, presidenti Obama tha se të gjithë amerikanët duhet të alarmohen nga veprimet e Rusisë.

Ai i quajti masat e reja të nevojshme dhe një përgjigje proporcionale ndaj përpjekjeve për të dëmtuar interesat amerikane. Obama po ashtu lajmëroi edhe se SHBA do të deklasifikonte informacionet teknike të lidhura me aktivitetin kibernetik të Rusisë në mënyrë që të ndihmojë administratorët e rrjeteve në SHBA dhe jashtë saj, të identifikojnë, gjurmojnë dhe ndërpresin fushatën globale të aktiviteteve kibernetike të Rusisë.

Kjo e fundit në fakt ka mohuar të jetë përfshirë në zgjedhjet amerikane dhe sulmet kibernetike. Qeveria ruse pritet tani të kundërveprojë duke dëbuar diplomatë amerikanë nga Moska.

Më herët, Ministria e Jashtme ruse kishte deklaruar se çdo hap armiqësor nga SHBA do të marrë përgjigje reciproke. Zyrtarë të dikasterit të jashtëm rus thanë se akuzat për ndërhyrje ruse tek zgjedhje janë bërë të vjetra dhe bajate. Sipas tyre, ky është thjesht keqinformim i administratës “Obama” që ka si qëllim të gjejë justifikime për dështimin në zgjedhje.