“Ky është haraç”: Qytetarët në veri ankohen për faturat e rrymës
Mungesa e transparencës dhe shpenzimet joreale janë disa nga arsyet përse disa pjesëtarë të komunitetit serb në veri të Kosovës thonë se nuk duan ta paguajnë energjinë e konsumuar elektrike. Ata pretendojnë se faturat që marrin, janë “të fryra”. Ata, po ashtu, thonë se infrastruktura është e dobët dhe se gjendja në matës nuk është…
Lajme
Mungesa e transparencës dhe shpenzimet joreale janë disa nga arsyet përse disa pjesëtarë të komunitetit serb në veri të Kosovës thonë se nuk duan ta paguajnë energjinë e konsumuar elektrike.
Ata pretendojnë se faturat që marrin, janë “të fryra”.
Ata, po ashtu, thonë se infrastruktura është e dobët dhe se gjendja në matës nuk është reale, pasi ata nuk janë zëvendësuar e as kalibruar.
Vesna Premoviq dhe Goran Millenkoviq nga Leposaviqi thonë për Radion Evropa e Lirë se përfaqësuesit e Elektroseverit sillen “joprofesionalisht, papërgjegjshëm dhe me arrogancë” dhe se askush nuk u përgjigjet ankesave të tyre.
“Nuk jemi kundër pagesës së faturave, rryma duhet të paguhet, por unë këtë nuk e kam shpenzuar. Ky është haraç”, thotë Premoviq.
Asaj i është ndërprerë rryma në nëntor të vitit të kaluar – me asistencën e Policisë së Kosovës.
Nga ajo kohë, borxhin e ka shlyer vetëm pjesërisht.
Ajo vazhdon t’i ketë borxh edhe 1.830 euro dhe pret që rryma t’i ndërpritet sërish, sepse, siç thotë, nuk ka mundësi të paguajë diçka që nuk e ka shpenzuar.
“Njerëzit po marrin kredi për të paguar faturat e energjisë elektrike”, thotë Millenkoviq.
Edhe atij i është ndalur rryma në mes të prillit, për shkak të borxhit, të cilin më pas është detyruar ta shlyejë.
Megjithatë, ai vazhdon të pretendojë se nuk matet konsumi real.
“Asnjë nuk është kundër pagesës së rrymës, por matësit në shtëpi janë të vjetër dhe të lënë pas dore. Mua më është ndërruar matësi vetëm më 15 prill të këtij viti, kur më është ndërprerë rryma për shkak të borxhit. Duhet të ketë një rend dhe transparencë”, thotë Millenkoviq.
Gabime në matësit e energjisë elektrike
Në fillim të prillit, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit e Kosovës (MINTI) tërhoqi nga përdorimi disa matës të energjisë elektrike, të cilët kishin tarifa të vendosura gabimisht në orët e tyre.
Sipas institucioneve përgjegjëse, standardi i lejuar i devijimit është plus ose minus 0.5 sekonda në ditë, varësisht temperaturës dhe vjetërsisë së matësit, ndërsa disa qytetarë kanë pretenduar se pasaktësia arrinte deri në disa orë.
Saktësia e kohës në matës është e rëndësishme, pasi çmimi i energjisë elektrike në Kosovë varet nga koha kur ajo konsumohet – përkatësisht, ka tarifë të lartë dhe të ulët.
Nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), më pas, u bë e ditur se të gjithë konsumatorët e dëmtuar, për shkak të pasaktësive të mundshme në tarifa gjatë llogaritjes së energjisë elektrike, do të kompensohen.
Përveç konsumatorëve te të cilët është konstatuar se matësit kanë parregullsi, të drejtë ankese kanë edhe konsumatorë të tjerë që dyshojnë se janë prekur nga këto pasaktësi.
Furnizimin me energji elektrike dhe faturimin në veri të Kosovës e bën kompania Elektrosever, e cila ka marrë licencën për operim në qershor të vitit 2023.
Ajo është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë – EPS dhe është rezultat i marrëveshjeve për çështje energjetike mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat janë arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Elektroseveri ka nënshkruar një kontratë komerciale me Kompaninë Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, në bazë të së cilës kryen aktivitetet e furnizimit me energji elektrike në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.
Si nënkontraktore e KEDS-it, ajo është e obliguar që t’i përmbushë detyrimet e shpërndarjes dhe furnizimit në përputhje me licencën e marrë.
Në ueb-faqen e kompanisë thuhet se ajo ka të drejtë për blerje dhe shitje të energjisë elektrike, rishitje të tepricave, si dhe import dhe eksport të energjisë.
Banorët e veriut të Kosovës – Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut – nuk e kanë paguar energjinë elektrike nga viti 1999 deri në vitin 2024, kur Elektroseveri ka nisur lëshimin e faturave të para.
Në atë kohë ka filluar edhe zëvendësimi i matësve të vjetër, si dhe instalimi i të rinjve në objektet që më parë nuk i kanë pasur.
Por, banorët thonë se ky proces nuk ka përfunduar ende.
Premoviq dhe Millenkoviq pretendojnë se nuk kanë pasur kontratë të nënshkruar me Elektroseverin, por se kompania gjithsesi i ka “detyruar” t’i paguajnë borxhet.
Millenkoviq thotë se ende nuk e ka nënshkruar kontratën, edhe pse e ka shlyer borxhin pas ndërprerjes së rrymës, ndërsa Premoviq e ka nënshkruar kontratën vetëm pasi i është ndërprerë rryma në fund të vitit të kaluar.
Më herët, nga Elektroseveri kanë deklaruar se përdoruesit që nuk paguajnë faturën e parë dhe nuk nënshkruajnë kontratë, automatikisht bëhen konsumatorë të Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike – KESCO. Por, më pas, ka njoftuar se ka të drejtë ligjore ta ndërpresë furnizimin me energji elektrike për ata që nuk kanë kontratë ose që nuk lejojnë qasjen në matës.
“Mendonim se do të paguante Serbia”
Millenkoviq thotë, gjithashtu, se më herët nuk është insistuar në pagesën e rregullt të faturave të energjisë elektrike – për ç’gjë qytetarët kanë krijuar përshtypjen se kostot do t’i mbulonte shteti i Serbisë.
“Populli kishte përshtypjen se shteti i Serbisë i rimburson shpenzimet tona. Kemi pasur informacione se faturat janë të mbuluara deri në fund të vitit 2025”, thotë ai.
Kompani fiktive të EPS-së në Kosovë
Tri ndërmarrje në pronësi të EPS-së – Termocentrali Kosova, Minierat Sipërfaqësore Kosova dhe Elektrokosmet – me seli të regjistruar në Kosovë, kanë borxhe mbi gjysmë miliardi euro, nxori në pah një hulumtim i Radios Evropa e Lirë nga dhjetori i vitit të kaluar.
Këto kompani, me adresa fiktive në Kosovë, vazhdojnë të operojnë edhe 25 vjet pasi Serbia ka humbur kontrollin mbi pronën dhe funksionimin e sistemit energjetik të Kosovës.
Prodhimi i energjisë elektrike është në duart e kompanive kosovare, ndërsa këto tri kompani serbe, me më shumë se 3.100 të punësuar, operojnë nga Beogradi.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve të Serbisë, humbja totale e këtyre tri ndërmarrjeve publike tejkalon 580 milionë euro.
Millenkoviq thotë se në punën e Elektroseverit ka parregullsi të shumta.
“Ata ishin të obliguar t’i zëvendësonin matësit dhe të hartonin kontrata, por nisën me ndërprerje të menjëhershme dhe i çuan qytetarët në një lloj ‘robërie’ borxhesh. Borxhet tani arrijnë në disa mijëra euro”, thotë Millenkoviq.
Ai shton se është i gatshëm edhe për procedura gjyqësore, pasi nuk dëshiron ta paguajë energjinë që nuk e ka konsumuar.
“Fatura për muajin shkurt ishte 150 euro, ndërsa ne nuk ngrohemi me rrymë”, thotë ai.
Premoviq pretendon, gjithashtu, se faturat ndryshojnë nga një konsumator te tjetri dhe se “askush nuk e di se ku shkojnë paratë”. Fatura e saj për muajin mars ishte rreth 160 euro – gjë që, siç thotë, nuk është reale, sepse ngrohet me dru dhe përdor rrymë njëfazore.
Ajo thotë se qytetarët në veri i paguajnë faturat në llogari të ndryshme bankare dhe se “askush nuk e di se kujt i shkojnë paratë”.
KESCO-ja nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse ka konsumatorë në komunat në veri të Kosovës.
Premoviq thotë se në arsyetimin për ndërprerjen e energjisë, Elektroseveri ka përmendur pamundësinë për të pasur qasje në matës, por ajo e mohon kategorikisht një pretendim të tillë.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Elektroseverit me kërkesën për t’i komentuar këto akuza të qytetarëve nga veriu i Kosovës, por nuk mori përgjigje.
As Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk iu përgjigjur pyetjes së REL-it se sa konsumatorë ka Elektroseveri dhe sa qytetarë nuk i paguajnë faturat në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Përndryshe, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës – KOSTT, në bazë të Udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjeve energjetike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, më herët ka siguruar qasje në nënstacionin Vallaç, i cili furnizon me pjesën më të madhe të energjisë elektrike qytetarët në veri të Kosovës.
Prej tij furnizohet edhe hidrocentrali në liqenin e Ujmanit.
Roli i Vallaçit është të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për palët që janë të lidhura me këtë nënstacion, në kuadër të sistemit të transmisionit të Kosovës./REL