Serbët nuk dorëzohen, kundërshtojnë pranimin e Kosovës në KON

Ministri i Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Serbisë, Vanja Udovcic, ende shpreson se vendimi për pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar do të rishqyrtohet në takimin e ekzekutivit në dhjetor.  

Sport

23/10/2014 17:16

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka pranuar Kosovën si anëtarin e 205-të, por vendimi përfundimtar do të merret në takimin e ardhshëm të kryesisë në dhjetor.

Dhe, kjo ka bërë që serbët të shpresojnë që Kosova në fund nuk do të jetë anëtare e KON-it.

Ministri i Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Serbisë, Vanja Udovcic ka thënë se shpreson se takimi i dhjetorit do të anulojë vendimin e fundit.

“Dua të besoj që ky vendim do të rishqyrtohet detajisht në takimin e ardhshëm të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar”, deklaroi Udovcic për “B92”.

Ai beson se Kosova nuk duhet të anëtarësohet në KON derisa të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara.

“Po ashtu dua të them se me rastin e pranimit të shtetit të ashtuquajtur Kosovë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka bërë një veprim të rrezikshëm që nuk është bërë më parë në skenën sportive ndërkombëtare”, u shpreh ai.