Ronaldo, zotëri 50 golëshi

Cristiano Ronaldo mund të quhet lirisht ‘zotëri 50 golëshi’. Ylli portugez shënoi të dielën mbrëma me thembër ndaj Valencias, duke arritur në kuotën e 50 golave sezonal, për herë të katërt rresht.

Sport

05/05/2014 12:25

Real Madrid dështoi në njërën prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit, duke barazuar 2:2 me Valencian në shtëpi.

Por, për Cristiano Ronaldon kjo ndeshje ishte e veçantë. Në fakt, ylli portugez e realizoi një gol me thembër në fund të ndeshjes, nga një pozitë vërtetë e pamundur.

Ky gol i CR7 ia mundëson atij të shkojë në kuotën e 50 golave sezonal, shifër të cilën e ka arritur për të katërtin vit radhazi.

Ndër të tjera, ai po shkon sigurt drejt Këpucës së Artë, duke e kaluar Luis Suarezin, i cili megjithatë do të luajë të hënën mbrëma me Liverpoolin e tij.

Ronaldo ka realizuar 31 gola në La Liga këtë sezon, ndërsa përcjellësit tjerë të tij janë Lionel Messi me 28 dhe Diego Costa me 27 gola.

Përpos Këpucës së Artë, ai është favorit për ta fituar edhe çmimin Pichichi, si golashënuesi më i mirë i vitit në kampionatin spanjoll të futbollit.