Ronaldo, kandidat për Shputën e Artë

Për herë të dytë të njëpasnjëshme, ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo është i nominuar për çmimin Shputa e Artë. Së bashku me të, në garë janë edhe një numër i madh i futbollistëve të mirënjohur.

Sport

08/05/2014 23:01

Për vitin e dytë me radhë, Cristiano Ronaldo është nominuar për çmimin Shputa e Artë, pasi është përfshirë në mesin e finalistëve së bashku me yje të tjerë si Andres Iniesta, Franck Ribery, Andrea Pirlo dhe Yaya Toure.

Çmimi ndërkombëtar, që mund të fitohet vetëm një herë, i ndahet futbollistëve të moshës mbi 28-vjeç, dhe vlen për arritjet e tyre si individ, dhe meritave të futbollistit ekipor, duke llogaritur edhe rëndësinë e personalitetit të tyre.

Së bashku me yllin e Real Madridit, në listën e plotë të kandidatëve janë edhe: Thierry Henry, Iniesta, Manuel Neuer, Pirlo, Ribery, Wayne Rooney, Toure, Thiago Silva dhe futbollistja braziliane Marta.

Votimi do të mbyllet më 24 gusht, kurse ceremonia ku do të shpallet fituesi, do të mbahet më 13 tetor në Monaco.

Fituesi do të përzgjidhet nga tifozët nëpërmjet uebfaqes së Golden Foot, ose faqes zyrtare në rrjetin social Facebook.

Çmimi u krijua më 2003 dhe fituesi i këtij viti do t’i bashkohet listës së ish fituesve: Roberto Baggio, Pavel Nedved, Andriy Shevchenko, Ronaldo, Alessandro Del Piero, Roberto Carlos, Ronaldinho, Francesco Totti, Ryan Giggs, Zlatan Ibrahimovic dhe Didier Drogba.