Reali do ta mbrojë trofeun e Ligës së Kampionëve

Ish portieri i Manchester Unitedit, Peter Schmeichel beson se Real Madrid do të hyjë në histori si skuadra e parë që mbron trofeun e Ligës së Kampionëve.

Sport

10/10/2014 20:21

Real Madrid do të bëhet skuadra e parë në histori që do të arrijë të mbrojë trofeun e Ligës së Kampionëve në formatin e tanishëm të garës, ka thënë legjenda e Manchester Unitedit, Peter Schmeichel.

Skuadra e Carlo Ancelottit fitoi trofeun e dhjetë të kampionit të Evropës në edicionin e shkuar pasi mposhti në finale rivalin e qytetit Atletico Madrid, me rezultat 4:1, pas vazhdimeve.

Asnjë skuadër në garë nuk e ka fituar trofeun për dy sezone të njëpasnjëshme prej kur UEFA e ndryshoi formatin më 1992-93.

Por, ish portieri danez beson se kampioni në fuqi ka gjasa të hyjë në histori.

“Real Madrid do të jetë skuadra e parë që fiton trofeun e Ligës së Kampionëve për dy herë me radhë”, deklaroi Schmeichel për “Goal”.

“Ata duken mrekullueshëm. Ronaldo është në formë, James dhe Kroos janë përforcime të shkëlqyeshme”, përfundoi ai.