Pse WhatsApp në web nuk punon për iPhone?

WhatsApp për web i ka zhgënjyer përdoruesit e Apple, pasi që nuk ka mbështetje për iPhone dhe për disa shfletues të tjerë.

Auto & Tek

23/01/2015 14:06

WhatsApp për web u lansua këtë javë, por kjo platformë e re nga shërbimi për mesazhe nuk u bë e gatshme për ata të cilët përdorin iPhone apo ndonjë shfletues tjetër përveç Chrome.

Këto kufizime nga WhatsApp siç duket janë si rezultat i angazhimit të kompanisë për privatësi, transmeton Lajmi.net.

Kompania e cila është në pronësi të Facebook njoftoi këtë javë se përdoruesit do të mund të dërgojnë mesazhe nga PC-të e tyre përmes web-it. Por, ndërsa ky tipar është i gatshëm për të gjithë përdoruesit e Android, Blackberry, Windows apo celularët Nokia, kjo veçori nuk u lansua për iPhone dhe shfletuesit e tjerë si Safari apo Firefox.

WhatsApp e fajësoi Apple për shkak që nuk ishte në gjendje të vë në funksion këtë karakteristikë në iOS – duke cituar kështu se ata vetë bënë “kufizime të platformës”.