Prizreni po dëmtohet

Ambasada e Britanisë së Madhe reagon ndaj shkatërrimeve të objekteve më vlerë arkitektonike në Qendrën Historike të Prizrenit. Interesat e biznesit po mbizotërojnë mbi ato të trashëgimisë kulturore. Ajo kërkon hetim lidhur me këto dëmtime.

Lajme

18/10/2013 13:50

Ambasada e Britanisë në Prishtinë ka shprehur shqetësim lidhur me dëmtimin e dy pronave brenda një kohe të shkurtër në Qendrën Historike të Prizrenit.

Me anë të një komunikate, kjo Ambasadë ka ngritur çështjen e shkatërrimit të dy ndërtesave shumë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në zonën qendrore të zonës së mbrojtur të Prizrenit; shtëpia e vjetër e familjes Shehu në lagjen Tabakhane dhe ish-Jugobanka përballë Urës së Gurit.

“Është për të ardhur keq që ashtu siç është thënë në Raportin e Progresit për Kosovën se interesat e biznesit shpesh mbizotërojnë mbi ato të trashëgimisë kulturore dhe ka bërë thirrje për veprim të fuqishëm për të ndalur ndërtimin e paligjshëm dhe për korrigjim të këtyre ndërtimeve”, thuhet në komunikatë të Ambasadës së Britanisë së Madhe.

Ambasada e Britanisë i është bashkuar thirrjeve të organizatës “Ec Ma Ndryshe”, të cilët janë duke punuar në monitorimin e punës së Komunës së Prizrenit, duke shprehur shqetësim karshi këtyre veprimeve.

“Në u bëjmë thirrje qeverisjes lokale dhe asaj qendrore, Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Prizrenit dhe institucioneve tjera relevante që të ndërmarrin veprimet e duhura që të hetojnë këto raste në mënyrë që të ndalen veprime të ngjashme shkatërruese për pjesët e tjera të Qendrës Historike të Prizrenit”, thuhet në reagimin e Ambasadës Britanike në Kosovë.