Presidenti i FFK ka një mesazh para sfidës ndaj Ishujve Faroe

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka një mesazh në prag të sfidës së Kosovës ndaj Ishujve Faroe.

Sport

14/10/2018 12:04

Ai është shprehur optimist për takimin që Kosova e zhvillon sot me fillim nga ora 18:00.

Ademi ka kujtuar edhe kohët e vështira që futbolli i Kosovës ka kaluar. /Lajmi.net/

Lexoni mesazhin e plotë të presidentit, përcjellur nga FFK:

Nuk do mend se Kosova gjithmonë ka kaluar nëpër sfida të ndryshme e të mëdha drejt synimeve të saja e njëra nga to është edhe prekja e majave në futboll. E për ta prekur këtë ëndërr djemtë e Kombëtares A, kanë nisur rrugëtimin e  tyre drejt majës së Evropës dhe deri me tash me shumë sukses kanë kapërcyer sfidat e ndryshme. Në vargun e këtyre sidave, sot e kemi një sfidë tjetër në tokën e largët të Ishujve Faroe, ndaj në mëngjesin e kësaj dite i lutem zotit që të jetë me djemtë e artë të Kosovës, të cilët çdo ditë e më shumë po e lartësojnë Kosovën me përpjekjet e tyre për të arritur majat e futbollit evropian.  Thellësisht jam i bindur që ne këtu, por edhe mbarë Kosova dhe shqiptarët ku do që janë, sot me mendje, sy e veshë janë të drejtuar kah Ishujt Faroe. Po ashtu jam i bindur që secili futbollist e ndjen në shpirt, e ka në mendje dhe zemër gjithë këtë përkrahje e kjo atyre ju jep zemër e krah për të ngadhënjyer në përballjen e sotme. Lutem që ta kapërcejmë me sukses edhe këtë sfidë që të i afrohemi sa më shpejt cakut dhe realizimit të ëndrrës tonë. Për të gjithë ata që për kushte e rrethana të kuptueshme nuk kanë mundur të jenë këtu pranë nesh, FFK-ja bashkë me Kompaninë IPKO dhe Komunën e Prishtinës janë përkujdesur që në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet,  që përmes ekranit të madh televiziv të kenë mundësinë të shijojnë emocionet që do të ofrojnë me lojën e tyre të shkëlqyeshme djemtë e Kosovës.

Unë dua të besojë dhe shpresojë se kështu do të kapërcejmë çdo sfidë dhe ëndrra jonë e përbashkët do të bëhet realitet duke shkruar një faqe të re të historisë në enciklopedinë e Kosovës.

Urime e suksese në sfidat tona të përbashkëta !