Partizani transferon Zhdrellën

Mentor Zhdrella është futbollist i ri i Partizanit. Klubi shqiptar e ka zyrtarizuar futbollistin kosovar përmes grupit në rrjetin social, Facebook.

Sport

02/06/2014 17:50

Mentor Zhdrella pritet t’i bashkohet ‘kolonisë’ kosovare në Partizan. Futbollistëve që luajtën sezonin që shkoi, si Besnik Krasniqi, Amir Rrahmani, Behar Maliqi, Mentor Mazrekaj, Labinot Ibrahimi e Liridon Ahmeti, nga edicioni i ardhshëm do t’u bashkohet edhe katër herë futbollisti më i mirë në Kosovë.

Lajmin e ka konfirmuar klubi tiranas, përmes rrjetit social, Facebook. “Katër herë lojtari më i mirë i kampionatit kosovar, në sezonin 2014-15 do të jetë tashmë pjesë e klubit të kuq. Gjithçka është arritur pas takimit që sulmuesi 25 vjeçar ka zhvilluar me presidentin Gazment Demi, me të cilin ka rënë dakord edhe për marrëveshjen e bashkëpunimit”, shkruan klubi shqiptar.

Këtë vit, Zhdrella është aktivizuar me Dritën, ndërkohë që ishte pjesë e Përfaqësueses së Kosovës për dy ndeshjet e fundit ndaj Turqisë e Senegalit. Klubi konfirmon se prezantimi i Zhdrellës do të zhvillohet gjatë kësaj jave.