“Panama Papers” në Shqipëri: Kompania “Offshore” refuzonte të jepte informacione

Autoriteti i Konkurrencës tentoi të hetojë shitjen e koncesionit të markimit të karburanteve, por kompania GFI, e regjistruar në parajsë fiskale refuzoi të jepte informacion.

Lajme

05/04/2016 16:49

“Ne kërkuam informacion. Ja referuam edhe autoriteteve në Zvicër për të pasur një ndihmëse për të gjetur prova në lidhje me xhirot e këtyre firmave. Janë firma offshore dhe ne nuk mund të marrim informacione mbi xhirot e tyre“, deklaroi kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë.

Por ai i markimit nuk është koncesioni i vetëm që ka ndërruar pronar gjatë muajve të fundit.

“Shqetësimi po vjen duke u thelluar. Është Bankers në radhë. Ka ndodhur dy herë rresht, një tjetër kompani, tani janë bërë aq shumë në radhë në nëj marrëveshje të dytë hidrokarbure. Po vjen aeroporti. Duhet të bëni një plan që tani për të hetuar këto që po vijnë në radhë”, deklaroi kreu i Komisionit, Erjon Braçe.

Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës tha se ka vetëm një rrugë që këto transaksione të mund të kontrollohen

“I vetmi instrument është që në marrëveshjet koncesionare duhet të jetë e shprehur qartas se kur ndryshohet paketa e kontrollit të koncesionarit duhet të merret autorizimi nga autoriteti nënshkrues i marrëveshjes koncesionare dhe rrjedhimisht kjo sjell një instrument tek Autoriteti i Konkurrencës”, deklaroi Lati.

Emri i GFI u bë publik një ditë më parë në morinë e dokumenteve të skandalit “Panama Papers”. Kompania mori koncesionin e ngjyrosjes së karburanteve në maj të 2013-ës dhe vjet në shtator e shiti atë tërësisht tek partnerja e saj “Petrolium Consulting”.

YouTube player