Opozita synon rrëzimin e qeverisë, Matoshi: Qeveria s’ka kohë të shpenzojë me pikëpamjet e tyre

Plani i partive opozitare për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, nuk është se po e shqetëson shumë këtë të fundit.

Lajme

04/11/2017 12:36

Zyrtarë të qeverisë shprehen se ekzekutivi aktual është i duke i kryer punët  me një dinamikë të re, dhe theksojnë se roli i opozitës është ta mbikëqyrë pushtetin dhe t’i jap alternativat e veta.

Halil Matoshi, Drejtor në Zyrën për komunikim me publikun në Qeverinë Haradinaj, ka thënë të shtunën për lajmi.net, se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të kryejë punët me të cilat obligohet dhe se nuk ka kohë të shpenzojë rreth planeve të partive opozitare.

“Qeveria e Kosovës është  duke i kryer punët e saj me një dinamikë të re dhe sipas logjikes së zbatimit të ideve, projekteve dhe vendimeve, ndërsa në demokraci opozita e ka rolin e vet në kontrollin ndaj pushtetit dhe në paraqitjen e alternative të saj”.

“Qeveria Hardinaj nuk ka kohë të shpenzojë në pikëpamjet e opozitës se kur dhe si do të nënshkruajnë ose do të paraqesin mocion mosbesimi, sepse ajo është krejtësisht punë e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Matoshi për lajmi.net.

Partitë opozitare janë deklaruar se po punojë rreth një plani për rrëzimin e qeverisë, me anë të një mocioni mosbesimi.

Një gjë të tillë ditë më parë e ka thënë edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Hazir. Ai ka thënë se LDK pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale do të shqyrtojë mundësinë për të nisur procedurat për rrëzimin e Qeverisë.

Opozita e cila synon që në fillim të pranverës ta rrëzojë qeverinë,  të cilën që nga dita e parë e formimit të saj e kanë vlerësuar si ‘jetëshkurtër’, shpreson që edhe deputetë nga radhët e koalicionit qeverisës ta përkrahin nismën për rrëzimin e Qeverisë.

Por, Matoshi thotë se ekzekutivi është stabil.

“Qeveria është stabile dhe të gjitha dikasteret janë duke funksionuar në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur ai.

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Haradinaj është votuar në Kuvend më 9 shtator me 61 vota për dhe një kundër./Lajmi.net/