Nokia vjen me serinë e re 3 dhe 5, ndërsa rikthen edhe “tullën” Nokia 3310

Prodhuesi i telefonave Nokia, HMD Global ka habitur botën disa javë më parë kur ajo lansoi modelet e reja të telefonave Nokia të bazuar në Android, përkatësisht modelin Nokia 6 në Kinë.

Auto & Tek

13/02/2017 23:52

Që nga ajo kohë, kërkesa për telefonin thuhet se ka tejkaluar potencialin e kompanisë për furnizim.

Tani një raport i ri thotë se kompania do të prezantojë zyrtarisht dy modele të reja të telefonave të Nokia në Android si pjesë e lansimit të modeleve të reja për vitin 2017, të cilat do prezantohen zyrtarisht në Kongresin Botëror Mobile më vonë këtë muaj në Barcelonë të Spanjës.

Evan Blass, burimi i besueshëm i këtyre lajmeve pretendon se telefonat e rinj do të quhen Nokia 5 dhe Nokia 3, dhe sipas tij këto modele do të shfaqen me specifika të ndryshme prej atyre që gjenden në Nokia 6.

Sipas burimeve të Blass, Nokia 5 do të ketë procesorin e njëjtë – Qualcomm Snapdragon 430 si Nokia 6. Megjithatë, Nokia 5 do të ketë një ekran me diagonalen prej 5.2-inç, në krahasim me ekranin prej 5.5-inç që është në Nokia 6.

Raporti gjithashtu thotë se Nokia 5 do të ofrojë 2GB RAM, në vend të 4GB që është në Nokia 6.

Nokia 5 poashtu pritet të vijë me kamerën e pasme me 12MP për dallim nga ajo me 16MP që ka Nokia 6. Nokia 6 në Evropë do të kushtojë 249 euro, ndërsa Nokia 5 thuhet se do të jetë pak më lirë, ose 199 euro saktësisht. Në anën tjetër, modeli më i lirë pritet të jetë Nokia 3, model i cili pritet të kushtojë 149 euro.

Por ia vlen të thuhet se Nokia po pritet ta rikthejë në treg edhe modelin klasik të njohur si ‘tullë’, Nokia 3310, i cili do të mund të blihet për vetëm 59 euro. Por nuk ka asnjë detaj për performancën e këtij modeli.