Njihuni me talentin kosovar që e pret një e ardhme e ndritur në futboll, ëndërron Barcelonën /Video

Erion Kajtazi, 12-vjeçari nga Mitrovica po shkëlqen me të rinjtë e Trepçës ’89, derisa pret që në një të ardhme të afërt të tregoj talentin e tij në Evropë

Sport

29/05/2018 19:23

Erion Kajtazin e pret një e ardhme e ndritur në futboll, është vetëm 12-vjeçar dhe po i mahnitë të gjithë me atë se çfarë po tregon në fushë, raporton Periskopi.

Erioni luan si mesfushor ofanziv dhe ajo që e bën të veçantë është se ka goditje të fuqishme me të dyja këmbët.

Djaloshi nga Mitrovica pati një edicion fantastik me të rinjtë e Trepçës ’89 ku ka shënuar 22 gola në 14 ndeshje, dhe për të fjalë të mira ka edhe trajneri Gazmend Murati.

“Erioni në moshën 9-vjeçare falë fizikut që ka pasur është aktivizuar menjëherë me kategorinë U-13 dhe posedon një talent të rrallë,” ka thënë Murati për Periskopin.

“Ai luan si mesfushor ofanziv, por ndonjëherë edhe si sulmues anësor dhe ajo që e bën të veçantë Erionin është se ka goditje të fuqishme me të dy këmbët.

Trajnerët Sadik Rrahmani, Shpëtim Idrizi dhe Gazmend Murati besojnë se 12-vjeçarin e pret një e ardhme e ndritur edhe jashtë Kosovës, ndërsa janë të interesuar që të nxjerrin sa më shumë talentë te Trepça ’89.

“Ne kemi besim ne talentin që ka Erioni dhe punën që ne bëjmë në klub, në të ardhmen shpresojmë që ai të kalojë në ndonjë klub evropian dhe presim që shumë shpejt t’i bashkohet Përfaqësueses U-15 të Kosovës,” përfundoi Murati.

12-vjeçari nga Mitrovica ishte njëri nga më të dalluarit në kampin që Barcelona e kishte mbajtur në Obiliq në vitin 2016, por shkaku i moshës atë kohë (10 vjeç) nuk kishte diçka konkrete për të vazhduar karrierën në Spanjë.

Talenti kosovar ka idhull Lionel Messin dhe ëndrra e tij është që një ditë të luajë për Barcelonën si dhe të jetë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës.