Mushkolaj: Inatet e partive po e çojnë vendin drejt një krize të re

Analisti, Imer Mushkolaj ka thënë se inatet e partive politike po e çojnë vendin drejt një krize të re politike.

Lajme

03/08/2017 16:51

“Inatet e partive politike po e çojnë vendin drejt një krize të re. E kemi parasysh se qëndrimet janë diametralisht të kundërta dhe nëse PAN-i vazhdon të insistoj që Kadri Veseli të jetë kryeparlamentar, por që nuk i kanë votat e nevojshme, ndërkohë që rivalët  politikë thonë se nuk do ta votojnë, besoj se kriza është e pashmangshme”, ka vlerësuar Mushkolaj, për lajmi.net.

Ai më tej ka thënë do të ishte shumë e dëmshme që të bllokohet konstituimi i institucioneve me postin e kryetarit ët Kuvendit.

“Përndryshe është bizare që të bllokohet situata me zgjedhjen e kryeparlamentarit. Kjo do të duhej të ishte një çështje teknike për t’i hapur rrugë formimit të Qeverisë re, për shkak se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit nuk është që bëhet garë për atë se kush e ka shumicën. Gara se kush e ka shumicën bëhet kur vije koha e konstituimit të Qeverisë”, ka shtuar Mushkolaj.

Në fund ai ka thënë se Kosova nuk e ka luksin për një krizë të re, pas krizës në të cilën ishte vendi për rreth 3 vite të Qeverisë “Mustafa”. /Lajmi.net/