Misteri i piramidave: Zbulimi i ri befason shkencëtarët

Misteri i piramidave të Egjiptit është thelluar akoma më shumë pas zbulimit të një ‘dhome’ gjigande brenda Keopsit.

Fun

03/11/2017 23:20

Nuk dihet akoma se përse ekziston një ‘zgavër’ e tillë apo nëse brenda saj ka diçka me vlerë.

Kjo për shkak se ajo nuk është e aksesueshme.

Shkencëtarët japonezë dhe francezë e kanë bërë të ditur zbulimin pas dy vitesh studime.

Ata kanë përdorur një teknikë të quajtur muografi, e cila studion dendësinë brenda strukturave të mëdha shkëmbore.

Piramida e Madhe ose Piramida e Keopsit, është ndërtuar gjatë sundimit të Faraonit Khufu mes viteve 2509 dhe 2483 Para Krishtit.

Ajo është e lartë 140 metra dhe është më e madhja e piramidave egjiptiane, e vendosur në Giza, në rrethinat e Kajros.

Keopsi përmban tre dhoma të mëdha të brendshme dhe disa kalime, një prej tyre e gjatë 47 metra.

Zgavra e zbuluar mendohet se gjendet fiks sipër tyre.

Ekspertët mendojnë se të tilla dhoma janë ndërtuar edhe për të shmangur shmebjen e piramidës, duke çliruar presionin.

Por udhëheqësi i ekipit studimor, Hany Helal mendon se dhoma e sapozbuluar është shumë e madhe për të qenë thjesht për çlirim presioni.

Pyetja që lind tani është se si mund të studiohet kjo zgavër.

Shkencëtarët e kanë një përgjigje, por presin një qëndrim zyrtar nga autoritetet egjiptiane, nëse pranojnë ose jo.

Ata mund të hapin një vrimë shumë të vogël, për të futur një robot. Vrima mund të jetë rreth 3 cm.

Më pas roboti do fluturojë në dhomë, duke sjellë pamje.