Messi dhe Busquets, kapitenët e rinj të Barcelonës

Carles Puyol dhe Victor Valdes do të largohen nga Barcelona në fund të sezonit. Ata ishin edhe kapitenë të ekipit, andaj në vend të tyre shiritin do ta mbajnë Sergio Busquets dhe Lionel Messi.

Sport

01/05/2014 12:48

Carles Puyol dhe Victor Valdes do të largohen nga Barcelona në fund të këtij sezoni.

Qendërmbrojtësi dhe portieri, dy prej futbollistëve me qëndrimin më afatgjatë në klub, kanë vendosur të braktisin gjigantin katalan gjatë verës së këtij viti.

Dhe, Barcelona është e detyruar që t’i zëvendësojë ata me një portier dhe qendërmbrojtës të ri, por edhe me dy kapitenë të tjerë.

Barcelona zakonisht mban një kapiten kryesor por ka edhe disa opsione të tjera që zakonisht janë futbollistë që kanë rëndësi të veçantë për ekipin.

Mesfushorët Xavi dhe Iniesta do të vazhdojnë të jenë kapitenë, por atyre në vend të Puyolit dhe Valdesit do t’ju bashkohen edhe mesfushori Sergio Busquets dhe sulmuesi Lionel Messi.

Ylli argjentinas ka rëndësi të jashtëzakonshme për skuadrën, kurse tani do të ketë edhe më tepër për faktin se mund të mbajë edhe shiritin e kapitenit.