Martino i pakënaqur me vetveten

Trajneri i Barcelonës, Gerardo Martino pranon se është i pakënaqur me punën e tij gjatë këtij edicioni. Strategu argjentinas thotë se ekipi e ka obligim të luftojë deri në fund dhe beson se Lionel Messi do të pensionohet në Camp Nou.

Sport

19/04/2014 14:16

Trajneri i Barcelonës, Gerardo Martino ka pranuar se është i pakënaqur me punën e tij pas rrugëtimit drejt një stinori që rrezikon të mos e sjell asnjë titull për skuadrën e tij.

Gjiganti katalan u eliminua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, humbi finalen e Copa del Rey dhe është aktualisht në pozitën e tretë në La Ligë me pak gjasa për të mbrojtur titullin.

“Nuk jam aspak i kënaqur me punën time”, deklaroi Martino në konferencë për shtyp para duelit me Athletic Bilbaon të dielën.

“Por, e kemi për obligim të luftojmë deri në momentin e fundit”, shtoi ai.

Martino mohoi spekulimet se Lionel Messi mund të largohet nga klubi në fund të këtij sezoni.

“Nuk befasohem që flitet për të ardhmen e Messit. Kjo ndodh vetëm pas një ndeshje të keqe kurse pas ndonjë paraqitje të mirë të gjithë mrekullohen me të. Unë mendoj se Messi do të mbetet në Barcelonë deri në fund të karrierës së tij”.