Man Utd shkel Real Madridin

Manchester United ishte bindshëm më i fortë se Real Madrid duke fituar me rezultat 3:1 në ballafaqimin e tyre në International Champions Cup në Michigan.

Sport

03/08/2014 01:02

Manchester United ka filluar të funksionojë mjaft mirë me menaxherin e ri Louis van Gaal.

Gjiganti anglez mposhti Real Madridin me rezultat 3:1 në duelin e tyre në International Champions Cup në Michigan.

Ashley Young e kaloi Unitedin në epërsi me golin e tij në minutën e 21-të. Por, Los Blancos u rikthyen në lojë duke barazuar rezultatin nëpërmjet Gareth Bale i cili realizoi nga penalltia në minutën e 27-të.

Por, Young e riktheu avantazhin e Unitedit me golin e tij të dytë në ndeshje në minutën e 37-të, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Pas intervalit, United shënoi edhe një herë tjetër nëpërmjet Javier Hernandezit në minutën e 80-të duke gjunjëzuar Realin.

Cristiano Ronaldo luajti kundër ish skuadrës së tij duke u inkuadruar në lojë në çerekun e fundit të ndeshjes.  

Finalja e këtij turneu do të zhvillohet mes Manchester Unitedit dhe Liverpoolit.