Madridi nuk pranon negociata me Kataloninë

Madridi zyrtar nuk pranon të negociojë mbi asgjë të paligjshme, duke iu referuar kështu referendumit të së dielës e nuk bie pre’ e shantazheve.

Bota

05/10/2017 09:04

Deklarata e qeverisë së kryeministrit Mariano Rajoy erdhi menjëherë pas fjalimit të liderit katalanas, të cilit i kërkohet të tërheqë kërcënimin e shkëputjes së rajonit të pasur autonom. Nëse zoti Puigdemont do të flasë, apo të dërgojë negociatorët e tij, e di shumë mirë se ç’ duhet të bëjë: t’i kthehet rrugës së ligjit, të cilën ne nuk do ta braktisim kurrë, thuhet aty.

Njoftimi vjen në kohën kur ushtria spanjolle dërgoi në Katalonjë 15 kamionë të mbushur me pajisje që do të ndihmojnë 10 mijë agjentët e policisë dhe të Guardia Civil që ndodhet në zonë prej ditësh. Puigdemont ia la fjalën e fundit dialogut, edhe pse deklaroi se pavarësia është tashmë çështje ditësh. Partia e majtë Cup, një prej tre forcave më të mëdha mbështetëse të shkëputjes që kanë mazhorancën në Parlamentin katalanas, kërkon të procedohet menjëherë në bazë të nenit 4 të ligjit mbi referendumin që nuk pranohet nga Madridi.

Puigdemont i vari shpresat tek një ndërmjetësim ndërkombëtar, por Europa është tërhequr. Mundësi për kompromis, duket se nuk ka më. Një ditë më parë, Presidenti i Katalonjës e akuzoi Mbretin Felipe për injorimin e qëllimshëm të miliona bashkëqytetarëve të tij. Për Puigdemont, ky është një moment që kërkon ndërmjetësim, por monarku ka refuzuar ta marrë përsipër rolin që i ofron Kushtetuta spanjolle, duke u rreshtuar në krah të qeverisë së Rajoyt. /TopChannel/