LDK: Shpend Ahmeti është fajtor për dëbimit të familjeve në “Dardani”

LDK në Prishtinë ka thënë se është e shqetësuar për dëbimin e familjeve nga banesat në lagjen “Dardania”.

Lajme

23/09/2016 16:25

Përmes një komunikate për media, LDK ka thënë se për këtë përgjegjësia duhet të bie mbi kreun e Prishtinës, Shpend Ahmetin.

“Lidhja Demokratike, Dega IV Prishtinë, shpreh shqetësimin e thellë për dëbimin me forcë të familjeve nga kompleksi i banesave në Dardani. Ky rast paraqet keqtrajtim të banorëve dhe familjeve të tyre. Dega IV e LDK Prishtinë, vlerëson se përgjegjësia politike, morale dhe profesionale, para së gjithash bie mbi Kryetarin e Komunës, z. Shpend Ahmeti. Në vlerësimin tonë të kujdesshëm dhe të pa nxituar, dëbimi me forcë i këtyre banorëve shpërfaq mentalitetin keq-qeverisës me Prishtinën, nga ana e Kryetarit të Komunës së Prishtinës”, thuhet në komunikatë.

Sipas LDK-së, qeverisja nga Ahmeti është e bazuar në politizim dhe polarizim të hapësirës publike.

“Tashmë secilit që njeh Prishtinën dhe qeverisjen me të, i është bërë krejtësisht e qartë, që ky mentalitet keq-qeverisës, burimin e legjitimitetit, apo përkrahjes, edhe ashtu të copëtuar politike, e bazon në politizimin dhe polarizimin e hapësirës publike, përmes instalimit të krizave publike, politike, e qytetare, të cilave po i ekspozohemi nga dita në ditë, në vazhdimësi. Sidoqoftë, në këtë rast, politizimi dhe polarizimi i kësaj hapësire, pothuaj ka tejkaluar të gjithë kufijtë dhe fatkeqësisht ka shkelur mbi dinjitetin dhe mirëqenien e banorëve në fjalë”, thuhet tutje në komunikatë.

Aty thuhet se dega e IV e LDK Prishtinë, vlerëson se anulimi i dëbimit me forcë, përmes vazhdimit të lejimit të qëndrimit të banorëve, tregon se dëbimi ishte një veprim i pamatur dhe i nxituar, i cili nuk do të korrigjohej sikur mos të përballej më rezistencë dhe refuzim qytetar, publik dhe politik. Thjeshtë, dëbimi nuk do të duhej të ndodhte.

LDK ka thënë se Ahmeti i ikë komunikimit të drejtpërdrejtë me publikun dhe se i fyen banorët duke i quajtur uzurpatorë.

“Në shpjegimin publik përmes rrjeteve sociale, duke i ikur komunikimit të drejtpërdrejtë me banorët, Kryetari Ahmeti ofron versionin e tij për dëbimin, e ku mjaftohet duke thënë që nuk ndërhyn në vendimet e gjyqeve, ndërsa i fyen banorët e këtyre banesave, duke i cilësuar ata uzurpatorë. Është për keqardhje që Kryetari Ahmeti, me këtë tregon se ose nuk njeh, ose injoron rrethanat në të cilat këta banorë u vendosën në këtë kompleks banesor”, thuhet në komunikatë.

“Dega e IV e LDK Prishtinë, vlerëson se ky rast është dashtë të menaxhohet ndryshe, dhe se ka pasur dhe ka hapësire për zgjidhje të përhershme, duke përfshirë këtu edhe mundësitë e ofrimit të strehimit social për familjet në nevojë. Është paradoksale, që Kryetari aktual, përkrahjen e tij politike dhe qytetare për të ardhur si i pari i komunës, e ka ndërtuar mbi një program social, me fokus përkrahjen e familjeve përmes strehimit dhe lehtësirave tjera. Aktualisht, i njëjti Kryetar, duke ditur se ka humbur legjitimitetin për të vazhduar me qeverisje, është në kërkim të formave tjera të përkrahjes apo burimit të legjitimitetit, por që për qytetarin e rëndomtë të Prishtinës, të gjitha kanë një emërues të përbashkët, injorimin e vullnetit, shqetësimeve, dhe pritjeve qytetare dhe publike. Dega IV e LDK fton Kryetarin Ahmeti, që në ushtrimin e pjesës së mbetur të mandatit, së paku të tregojë respekt dhe maturi, t’i shmanget qasjes arbitrare dhe të realizoj premtimet ndaj qytetarëve, me theks të atyre me karakter social”, përfundon komunikata.