Lajm shumë i keq për Gashin (FOTO)

MLS injoron sulmuesin Shkëlzen Gashi, duke e lënë jashtë “Formacionit të Yjeve” për ndeshjen kundër Arsenalit më 28 korrik.

Sport

18/07/2016 12:39

Arsenali do të luajë më datë 28 korrik një ndeshje miqësore kundër yjeve të kampionatit amerikan të futbollit (MLS), dhe me sa duket, Shkëlzen Gashi nuk e meriton ende të cilësohet një “yll” në këtë kampionat.

Ndonëse sulmuesi shqiptar është mes futbollistëve më të paguar jo vetëm në skuadrën e Kolorado Rapids, por edhe në MLS, tifozët dhe lojtarët që kanë votuar për seleksionimin e “yjeve” për këtë ndeshje, mendojnë se ai nuk e meriton një vend në listën prej 26 lojtarëve të përzgjedhur për sfidën, përcjell “Panorama Sport”.

Fakti që sulmuesi shqiptar nuk po shënon aq shumë sa parashikohej, edhe pse Kolorado Rapids janë pranë kreut të klasifikimit në Konferencën e Perëndimit, duket se ka ndikuar në përbërjen e kësaj liste ku ka 7 sulmues.