Ky është kërcënimi që i arrestuari për terrorizëm i kishte bërë ish ambasadores Jacobson

Njëri nga të arrestuarit për terrorizëm në operacionin e përbashkët të policisë italiane dhe asaj kosovare, kishte kërcënuar edhe ish ambasadoren amerikane në Kosovë, Tracy Ann Jacobson. Ai kishte shkruar se ajo duhet të dënohet sipas Sheriatit.

Lajme

01/12/2015 12:27

Policia italiane në bashkëpunim me policinë e Kosovës, kanë arrestuar 4 kosovarë të dyshuar për terrorizëm. Tre prej tyre janë arrestuar në Breshia të Italisë dhe njëri në Kosovë, në një fshat të Hanit të Elezit, raporton lajmi.net.

I arrestuari në Kosovë është 48 vjeçari Samet Imishti, dhe ai dyshohet se ka bërë nxitje të terrorizmit, përmes thirrjeve publike në rrjetet sociale.

Një kërcënim i tillë përmes Facebook-ut, i ishte drejtuar edhe ish – ambasadores amerikane në Kosovë, Tracy Ann Jacobson.

“Qeveria hebreje amerikane thotë se qeveria e re do të luftojë korrupsionin. I them kësaj zonje se deri sa ata janë këtu, nuk do të ekzistojë drejtësia në Kosovë. Kjo jobesimtare meriton dënim me sheriat (ligji islam)”, kishte shkruar ai në kërcënimin e tij publik.

Për arrestimin e Imishtit, në Kosovë kishin ardhur edhe forca policore italiane, ato të njësitit anti-terrorizëm. /lajmi.net