Kurti: Vetëvendosje është zgjidhja për Gjilanin, Anamoravën dhe Kosovën

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha të mërkurën në Gjilan se Kosova ka shumë gjëra për të ndryshuar, andaj sipas tij Vetëvendosja është edhe zgjedhja edhe zgjidhja, edhe ndryshimi edhe zhvillimi, edhe për Gjilanin, edhe për Kosovën.

Lajme

04/06/2014 17:03

Kurti, në fjalën e tij gjatë tubimit elektoral, ku u prezantuan kandidatët për deputetë të kësaj komune, tha se në Kosovë ka sindikata pa punëtorë e punëtorë pa sindikata, shkolla pa arsim, spitale pa shërim, bujq pa tokë e tokë pa bujq.

Sipas tij, qeverisja e Vetëvendosjes do ta ndihmojë prodhuesin, bujkun, punëtorin, sportistin, që ata të jenë ne garë të barabartë me të tjerët e jo të diskriminuar.

“Sa shumë ka punë në Kosovë aq ka papunësi në Kosovë, sepse vendi i punës në Kosovë është temë partiake e jo ekonomike dhe politike”.

Lëvizja Vetëvendosje, sipas Kurtit, është alternativë.

“Më 8 qershor do të sigurohemi që do të qeverisë shumica e kurrë më nuk do të na sundojë pakica”, tha ai.

Ai shpjegoi se si në vend se të ndërtohen fabrika që do ta shtronin edhe asfaltin pastaj, në Kosovë janë ndërtuar autostrada fabrikave të huaja.

Andaj, Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje do ta ndryshojë këtë rrënjësisht.

Duke iu referuar kryeministrit në ikje, Kurti tha se është shumë e qartë që Hashim Thaçi po fundoset ngadalë, mirëpo po e shtrëngon në dorë Kosovën.

“Ne duhet t’ia heqim Kosovën nga dora dhe t’ia japim Isa Mustafën le ta mbajë atë , e ne t’ia kthejmë republikën qytetarëve”, tha ai.

“Fitorja e Vetëvendosjes, ashtu siç do ta zhvillojë Gjilanin dhe Kosovën, do ta ndihmojë edhe Preshevën, Bujanocin e Medvegjën, kurse drejtësia jonë do të jetë e bazuar në moral dhe atdhedashuri, si pikënisje për vullnet politik, e këtë mund ta bëjmë vetëm ne, sepse as PDK e as LDK nuk kanë as moral e as atdhedashuri”.