Krasniqi godet kuqezi

Boksieri Haxhi Krasniqi thotë se kudo që është ai me zemër godet dhe lufton nën ngjyrat kuq e zi. Ai tregon pse u detyrua të zhvillojë karrierën në Gjermani, në vend të vendlindjes së tij.

Sport

11/09/2014 00:13

Haxhi Krasniqi nuk e harron prejardhjen e tij. Boksieri nga Juniku ka theksuar se në çdo meç ai godet dhe lufton me shpirtin e vendlindjes së tij, edhe pse është zhvilluar në Gjermani.

“Karriera ime ka filluar dhe do të përfundojë në Gjermani. Këtu më është dhënë kjo mundësi, këtu janë kushtet dhe menaxhimi shumë më i mirë. Gjithsesi, unë kudo që jam, në Kosovë dhe Shqipëri përsëri me zemër godas dhe luftoj kuq e zi”, u shpreh Krasniqi për “Tevola1”.

“Kosova dhe Shqipëria nuk i kanë kushtet, fuqinë dhe as menaxhimin që të boksoj aty ku dua unë, me atë që kam ëndërr unë , prandaj vetëm këtu mund të realizohet gjithçka. Por çdo trofe që do të fitoj, do t’ia kushtoj popullit tim. Shpresoj të bëhem kampion bote dhe atë titull ta festoj në trojet e mia”, shtoi ai.