Kqirajve të Prizrenit u ndërpritet masa e paraburgimit

Gjashtë të akuzuarve në procesin gjyqësor për fajde, detyrim e krim të organizuar u është ndërprerë paraburgimi.

Lajme

29/06/2017 17:57

Në seancën gjyqësore në rastin e 14 të akuzuarve për fajde, detyrim, krim të organizuar, e vepra tjera penale të paraburgosurve që dy vjet u është ndërprerë kjo masë.

Nga 14 të akuzuarit, në paraburgim mbi dy vjet po mbaheshin Tunë, Gjon, Marian e Kastriot Kqira, Benson Buza dhe Besfort Omaj.

Lajmin për ndërprerjen e paraburgimit për KALLXO.com e konfirmoi avokati Esat Gutaj.

“Të gjithë të akuzuarit nga nesër do të jenë në arrest shtëpiak, atyre do t’u ndërpritet masa e paraburgimit dhe do t’u zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak”, tha avokati Gutaj.

Më 7 prill Tunë e Gjon Kqira ishin liruar nga paraburgimi, i cili u ishte kthyer në arrest shtëpiak, por Gjykata e Apelit pa u bërë një muaj ua ktheu këtë masë të akuzuarve.