Kombëtarja, Berisha kërkon sërish kohë

Besart Berisha nuk ka vendosur ende nëse do t’i kthehet Kombëtares shqiptare apo jo. Selektori Gianni De Biasi është në pritje të një përgjigjeje nga sulmuesi kosovar, në të cilin llogarit për eliminatoret e ardhshme.

Sport

17/04/2014 20:36

Besart Berisha ka kërkuar sërish kohë për t’i kthyer përgjigje Gianni De Biasit, nëse do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për t’u grumbulluar me Kombëtaren ose jo në edicionin e ardhshëm.

Sulmuesi kosovar luan në Australi me skuadrën e Brisbane Roar dhe në dy sezonet e fundit ka shkëlqyer duke u shpallur golashënuesi më i mirë i kampionatit.

“Kam folur me Besartin dhe më ka thënë se duhet ta pres edhe disa ditë. Është shumë i angazhuar te skuadra e vet dhe i duhet pak kohë të reflektojë dhe të bëjë llogaritë e tija. Unë ia kam thënë hapur se do të ishte një pedanë e rëndësishme për Kombëtaren shqiptare në këtë fushatë kualifikuese dhe se mund të lërë gjurmë. Tani vendimi i takon atij. Jam në pritje’, ka deklaruar De Biasi për “Panorama Sport”.

Nga ana tjetër Berisha ka probleme me largësinë, sepse druhet se udhëtimet e gjata dhe të shpeshta Australi-Shqipëri dhe anasjelltas mund të ndikojnë në rendimentin e tij te skuadra e ardhshme, Melbourne Victory, me të cilën firmosi në muajin janar një marrëveshje paraprake, ku do të përfitojë rreth 1.5 milion dollarë në vit.