Klubi i Superligës tërhiqet nga garat?

Luftëtari është një nga skuadrat më të penalizuara në këtë sezon futbollisik dhe një gjë e tillë ka ndikuar edhe në rezultatet e bluzinjve, të cilëve u janë mohuar shumë pikë.

Sport

16/04/2017 22:58

Por, pas ndeshjes së sotme, ku gjirokastritëve u është mohuar një 11-metërsh në pjesën e parë dhe u është akorduar një kundër në të dytën, duket se situata ka arritur kulmin, pasi trajneri Mlladen Milinkoviç dhe shefi i klubit, Gentian Nora, i kanë paraqitur dorëheqjen presidentit Grigor Tavo.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, numri një i bluzinjve në lidhje me situatën është shprehur:

“Nuk jam i mërzitur, jam i pikëlluar. Është hera e dytë që investoj në futboll. Unë jam biznesmen dhe shes produkte, nuk shes ndeshje. Më kanë paraqitur dorëheqjen trajneri dhe shefi i klubit me arsyetimin që nuk po e mbroj dot punën e tyre nga padrejtësitë dhe turpet në vendimmarrjen kundër Luftëtarit. Po si mund ta mbroj unë vallë, ç’fuqi kam? Me dhunë si disa të tjerë? Me presione, me telefonata arbitrash? Unë nuk jam i tillë. Gjirokastra nuk është e tillë.

Unë doja vetëm të mos më ndalonin në punën e nisur. Të pranojë skuadra ime nënshtrim ndaj një sulmi të tillë? Skuadra, për të cilën unë kam investuar 1 000 000 euro këto dy vjet, nuk do ulë kokën të pranojë këto absurde. Nuk po shkatërrohet një skuadër, po shkatërrohet një familje dhe tani që po flas jam me lot në sy”, është shprehur Tavo, nën drejtimin e të cilit Luftëtari arriti të ngjitej në Superiore dhe tashmë ka një pozicion komod, madje lufton edhe për vendin e katërt.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy